Google ADS

Ish-oficeri i ushtrisë britanike thotë se Fatmir Limaj kishte pranuar se UÇK-ja e ka ndaluar Amir Xhafiqin

17:38 | 13 Shtator 2023
E.G

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, i cili deklaroi se Fatmir Limaj kishte pohuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e ka ndaluar Amir Xhafiqin.

Për takimin me Fatmir Limaj, me nofkën Çeliku, dëshmitari tha se ai kishte pranuar se UÇK-ja kishte të ndaluar AmirXhafiqin por se kishte kuptuar se nuk mund të bënin marrëveshje pas asaj bisede.

‘‘Një prej pikave të mia në këtë takim ishte që unë isha atje i autorizuar nga komandant Drini që dëshironte të kisha qasje të paktën me pa personin e ndaluar dhe sa kuptoja kisha mbështetjen e tij dhe ja thash këtë. Limaj m’u përgjigj se personi i ndaluar ishte jashtë kompetencës së komandantit të zonës dhe ishte nën kompetencën e Shtabit të Përgjithshëm’’, tha ai.

Dëshmitari këtë deklarim e bëri, duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), konkretisht prokurores, Deborah Mayer.

Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi për ZPS-në në vitin 2018 dhe 2019 dhe se ka bërë sqarimet për këtë deklaratë, e që të gjitha pasqyrojnë informacione të sakta dhe do përgjigjej njësoj për të njëjtat çështje.

Në këto rrethana, është kërkuar nga ZPS-ja që deklaratat e tij të mëhershme, provat shoqëruese dhe shënimi përgatitor të pranohen dhe si të tilla ato janë pranuar nga trupi gjykues.

Nga përmbledhja e dëshmisë së tij, është thënë se ka qenë nënkolonel i ushtrisë britanike dhe është dislokuar në misionin e vëzhguesve diplomatike dhe pjesë e verifikuesve të OSBE-së në Kosovë më 1998 dhe 1999.

Tutje, u tha se ai ishte larguar nga Kosova në mars 1999 dhe u kthye për të shërbyer me KFOR-in si zëvendëskomandant- zëvendëskoordinues për Malishevën dhe Rahovecin dhe kishte raportuar për qendrën numër 1.

Për të, u tha se ka bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për persona të zhdukur dhe të rrëmbyer dhe për të gjetur ku ndodheshin këta persona të rrëmbyer nga UÇK-ja.

I pyetur për personin konkret Amir Xhafiqin, ai pohoi se ka takuar disa zyrtarë të UÇK-së për ta kuptuar ku ishte i njëjti.

Fillimisht, tregoi bisedën me Komandant Drinin, sipas të cilit nuk kishte pasur dijeni për këtë, por se biseda paraprake me një person të quajtur Skender, sipas dëshmitarit kishte bërë të dyshonte se ata mund të dinin diçka ndonëse ishte thënë se ‘UÇK-ja nuk ishte i përfshirë në zhdukjen e Amir Xhafiqit’’.

Ndryshe, dëshmitari gjatë dëshmisë së tij pohoi se në punën e tij kanë bërë raporte ditore dhe nga ana e prokurores u paraqit një dokument i hartuar nga dëshmitari, ku ishte thënë se ishin ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së të cilin kishin thënë se s’kanë pasur informacion nga niveli më i lartë për këtë patrullim.

E dëshmitari tha se ‘‘ky është term i veçantë ushtarak që ka të bëjë me selinë më të lartë në zinxhirin komandues, është thjesht për eprorët e asaj patrulle të UÇK-së që kemi has në atë moment’’.

Më pas, iu paraqit një raport i OSBE-së ku ishte thënë se dikush nga organizata ka pasur takim me komandat të UÇK-së dhe ka marrë udhëzim se UÇK-ja duhet të mbështesë organizatat ndërkombëtare dhe jo të bëhet pengesë, e që ai tha se ka dëgjuar këtë informacion por se nuk e ka shkruar ai këtë dokument.

Kurse, dokumentin tjetër të paraqitur ku thuhet se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ishte nënshkrues i asnjë marrëveshje por se Shtabi ka njoftuar se do ofrojë ndihmë mekanizmit të përmendur për t’i kryer punët pa pengesë në territoret ku është UÇK-ja, duke iu ofruar siguri të plotë, ai tha se nuk e ka parë më herët përveç në seancën përgatitore.

Për Shtabin e Përgjithshëm, ai tha se ka qenë në krye të organizimit të UÇK-së, ndërkaq disa pyetje nga ana e ZPS-së janë bërë në sesion privat.

Në vazhdim, ai është përgjigjur fillimisht kundër-pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, ku dëshmitari pohoi se para Kosovës, nuk kishte qenë pjesë e ndonjë dislokimi ku një grup joshtetëror kishte qenë aktiv.

Ai më tej tha se ka qenë pjesë e grupit me seli në Prizren, por se zona e përgjegjësisë së tyre ishte zona e Rahovecit në drejtim të Malishevës.

Sipas tij, kjo zonë ishte zona e Pashtrikut për UÇK-në dhe tha se e di që në të kanë shërbyer Brigada 122 dhe 124 e UÇK-së.

Tutje, janë diskutuar opinionet e tij për organizimin e UÇK-së, e që sipas tij kur kishte thënë se UÇK-ja ishte e organizuar shumë mirë dhe kishte komunikim të arsyeshëm, e kishte pasur fjalën se ajo nuk mund të krahasohet me një ushtri moderne që kontrollon territorin e saj por se ishte organizatë ushtarake që ishte duke u zhvilluar por sipas tij, nuk ishte organizim gueril që nuk komunikonin fshatrat mes vete.

Po ashtu, ai tha se nga vëzhgimi që ka bërë në takimet me komandantë ka vërejtur se ushtarakët i ndiqnin ushtrat e tyre, respektoheshin se ishte organizatë e disiplinuar dhe të dedikuar mes njëri-tjetrit.

Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka takuar dikë tjetër nga shtabi i komandës së zonës, përveç personin përgjegjës që mbante lidhjen me OSBE-së.

Po ashtu, ka pohuar se ai nuk ka pasur njohuri për strukturat e sakta të brigadave të zonës, se nuk e ka ditur kur është krijuar Shtabi i Përgjithshëm e as që ka qenë praktikë që ata të takoheshin me Shtabin e Përgjithshëm.

Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe në seancën e nesërme, ku seanca do fillojë sërish me kundër-pyetjet e avokatit Roberts./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme