Google ADS

Damati: Para 18 nëntorit mund t’i vazhdojnë paraburgimin apo lirojnë Thaçin dhe të tjerët

16:28 | 14 Nëntor 2020
arbresh.info

Njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, thotë se tani gjykatësi i procedurës pranë Dhomave të Specializuara duhet të vendos për masën e paraburgimit, vazhdimin apo ndërprerjen e saj.

Në një prononcim për arbresh.info ai deklaroi se kjo duhet të vendoset për të katërtit. Gjykatësi i procedurës paraprake ka vendosur më datën 18 nëntor konferencën për ecurinë e çështjes.

“Pas paraqitjes së parë tani gjykatësi i procedurës paraprake pranë dhomave të specializuara duhet të vendos për masën e paraburgimit, vazhdimin apo ndërprerjen e saj për z. Kadri Veselin, z. Thaçin dhe të tjerët, dhe kjo mund të ndodhë edhe para mbajtjes sa seancës apo konferencës së radhës”, tha juristi Damati.

Musa Damati e konsideron këtë gjykatë si jo profesionale dhe proceduralisht pa mandat.

“Gjykata Speciale është jo profesionale dhe proceduralisht pa mandat, juridiksioni i saj duhet të rishikohet për arsye se bazuar në dispozitat relevante ligjore afati i saj kohorë ka skaduar dhe lidhur me këtë fakt avokatët duhet t’i ngrisin mocionet e tyre për të kundërshtuar juridiksionin e saj”, thotë ai.

E mënyrën si kjo gjykatë i bastisi shtëpitë e të akuzuarve dhe i arrestoi ata, Damati i cilëson si spektakël të tepruar.

“Ajo se çka mund të konsiderohet po ashtu proporcionalisht joprofesionale nga procedimet e dhomave të specializuara, është spektakli i tepruar me rastin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale dhe operacionale në kryerjen e funksionit të saj”, tha ai.

Kujtojmë se katër eprorët e UÇK-së kanë përfunduar seancat e tyre fillestare ku janë deklaruar si të pafajshëm për të gjitha aktakuzat që janë ngritur drejt tyre./ arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme