Gjatë deklaratës së tij hyrëse, avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka deklaruar se ka pasur më shumë forca të dërguara për të arrestuar Pjetër Shalën se sa ato që ishin dërguar për Bin Ladenin.
Avokati thotë se Shala s’ka marrë pjesë në marrje në pyetje apo torturë të ndonjë lloji dhe se s’di për ekzistimin e burgut në Fabrikën e Metalit
Jean-Louis Gilissen, avokat i Pjetër Shalës, tha se i mbrojturi i tij as nuk ka parë, as nuk ka ditur ndonjëherë diçka për pretendimet e një burgu në Fabrikën e Metalit dhe se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë marrje në pyetje, apo torturë të asnjë lloji.
Paraprakisht, avokati i Shalës tha se duhet të theksojë se nga çështja e Prokurorisë do të marrin vesh pak ose aspak lidhur me kushtet në të cilat Shala u bë pjesë e rezistencës dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe lidhur me kushtet, në të cilat u kyç në UÇK, që ka luftuar për lirinë dhe mbijetesën e popullsisë shqiptare në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka pyetur se çfarë do të ishte bërë me mijëra e mijëra njerëz që u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe vendi i tyre në mënyrë të dhunshme në qoftë se UÇK nuk do të kishte ekzistuar me persona të tillë të armatosur si Shala.
“Anëtarësimi dhe lufta në UÇK nuk është krim ose për të qenë më i saktë, nuk ka qenë asnjëherë krim”, ka thënë ai.
Tutje, avokati deklaroi se Shala i përkiste UÇK-së dhe këtë e pohon edhe ai vetë dhe po presin që ZPS të paraqesë provat që pretendon se ka.
“E vërteta është që zoti Shala në vitin 1998 u plagos rëndë gjatë luftimeve, detyrua të largohej nga një kundërsulm që bëri ushtria dhe në fakt vranë shumë ushtarë të UÇK-së”, tha avokati.
Sipas tij, në Belgjikë, Shala nuk është përzier me politikën dhe se nuk ka pasur përgjegjësinë që dëshirojnë t’ia jepin sot.
“S’ka asgjë pra, asgjë. Nuk ka kurrfarë përgjegjësie zoti Shala. Ai respekton ligjin e vendit dhe atje zbuloi se çfarë ishte një jetë normale në këtë shtet, mund të dilte mbrëmjeve pa pasur frikë mos e arrestonin dhe mos e rrihnin për të vetmen arsye se fliste shqip. Për të ishte e mrekullueshme kjo, diçka e re. Mund të punonte, të fitonte jetesën dhe kjo ishte gjë e re për të dhe këtë mund ta bënte pa pasur frikë nga policia dhe milicia. Belgjika për të dukej një lloj parajse”, deklaroi avokati.
Tutje, u tha se po përpiqej të merrte statusin e azilit politik dhe për të bërë këtë, ai si shumë të tjerë në situatën e tij gënjejnë pak ose përpiqen të përmirësojnë të dhënat e veta, por është e qartë se as ZPS nuk mund t’i kthejë këto gënjeshtra të nevojshme në një të vërtetë të provuar.
“Dhe kështu dolën imazhet dhe lajmet për këto krimet që po kryheshin gjerësisht në Kosovë kundër personave. Po flasim për marsin e 1999. Ndjeu detyrën që të linte parajsën- Belgjikën dhe të kthehej në ferr, vërtet në ferr, siç ishte në atë kohë në Kosovë. Ai nuk kërkon falënderime apo merita për këtë, nuk mund të kishte vepruar ndryshe, ishte e paimagjinueshme për të, të qëndronte në Belgjikë, ndërkohë që kaq shumë njerëz po vuanin”, tha avokati, duke shtuar se është kthyer me shumë të tjerë që kishin zgjedhur të mbronin ata që kanë mbijetuar.
Ai tha se Shala nuk është monstër e as nuk është hero, është thjesht një njeri.
“Dhe kështu përfundoi Shala në Durrës, Shqipëri. Këtu fillon skenari i plotë i projektuar nga ZPS. Gjatë këtij gjykimi ZPS do të përpiqet të tregojë çfarë ndodhi në Durrës sipas skenarit të prokurorit se ky është skenari real. Ne nuk e dimë. S’kemi marrë ndonjë informacion nga prokuroria dhe më vjen keq ta them të nderuar gjykatës, as ju nuk e dini. Kjo është zgjedhja e prokurorisë, nuk kemi marrë asgjë, madje unë nuk e di nëse hetuesit kanë shqyrtuar këto informacione”, tha avokati.
Në vijim, tha se ajo çka kanë kuptuar nga skenari i ZPS është se shkoi në Kukës nga Durrësi për të kontrolluar dhe komanduar Fabrikën e Metalit në Kukës. Por, avokati tha se ky nuk është realiteti.
“Realiteti është nëse shikojmë shkresat në dosje, sidomos ato që vijnë nga hetimet e vet ZPS, është që zoti Shala që donte të shkonte në frontin e luftës, zoti Shala shumë shpejt e mori vesh se nuk kishte ndonjë pozitë për atë në Kukës, asnjë lloj pozite. Realiteti është zoti Shala besohet se u dërgua në zonën operative të Pashtrikut, pra në Kukës, ku ishte pika ku takoheshin luftëtarët e rinj dhe popullsia civile që donin të kyçeshin në UÇK. Nuk shkoi me gëzim të madh aty, por shkoi se ishte afër frontit dhe thellë thellë nuk kishte zgjidhje tjetër”, tha avokati.
Tutje, tha se kur shkoi atje zbuloi se ekzistonin tre grupe apo organizata që rrinin pranë kësaj fabrike, një qendër logjistike dhe një grup ushtarësh ishin angazhuar të formonin një brigadë dhe se kjo ishte afër rrethinave të fabrikës.
Sipas avokatit, shumë shpejt Shala e kuptoi se askush nuk e priste atje dhe se nuk kishte vend për të në asnjë nga këto organizata, por fatmirësisht ai njihte administratorin kryesor të këtij grupi logjistik në këtë fabrikën e vjetër dhe hyri në kontakt me të.
“Ne e dimë se kështu mori një armë dhe se si u largua nga Kukësi dhe fabrika e vjetër pa pasur ndonjë përgjegjësi apo rol atje. Ai qëndroi në front ose diku aty afër, herë pas here bashkohej me disa luftëtarë ose në kampet e UÇK-së që të pushonte, merrte veten dhe të vazhdonte të luftonte në këto kushte të jashtëzakonshme dhe rrethana të jashtëzakonshme”, tha avokati.
Tutje, Gilissen tha se Shala kaloi kalimthi në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe nuk u stacionua atje, por mund të ketë kaluar në natë apo dy sepse ishte vend i pakëndshëm dhe nuk kishte zhvillim.
“Ishte vend i pakëndshëm, vetëm depo kishte atje dhe një kuzhinë, ku mund të haje, por as nuk konvikt nuk ishte, fjetore nuk kishte, e keni parë, nuk ka fjetore atje. E dimë këtë nga fakti se personat e UÇK-së ishin detyruar të flinin mbi dysheme prej betoni dhe zoti Shala mohon në mënyrë kategorike të ketë qenë ndonjëherë anëtar i brigadës 128”, tutje deklaroi avokati.
Sipas tij, lidhjet e Shalës me fabrikën e metalit në Kukës janë inekzistente.
“Besoj për një person që nuk e ka vizituar asnjëherë Fabrikën e Metalit të vjetër, gjëja më interesante që nuk u përfaqësua këtu është brenda ndërtesë. Nuk treguat asgjë si ishte brenda kjo ndërtesë dhe ne do të donim ta shihnit në fakt. Sigurisht në këto dhoma të famshme, apo zyra, të shihnim saktësisht si ishte planimetria e brendshme, përmasat e këtyre dhomave, gjendja e këtyre dhomave dhe tani atje janë plaçkat siç kanë qenë mobiljet dhe kur lexoi deklarata të personave që pretendojnë se kanë qenë viktima atje, kam idenë dhe krijohet përshtypja që është e pamundur të kenë qenë kaq shumë persona në këtë dhomë”, deklaroi avokati i Shalës.
Sipas avokatit, Shala as nuk ka parë, as nuk ka ditur ndonjëherë diçka për pretendimet e një burgu në Fabrikën e Metalit.
“Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë marrje në pyetje, apo torturë të asnjë lloji”, tha avokati.
Avokati deklaroi se Shala i mohon akuzat dhe se ai nuk është i vetmi që i bën këto deklarata.
“Lidhur me këto pika, pjesa më e madhe që ka intervistuar ZPS thonë të njëjtën gjë, i qëndrojnë të njëjtës deklaratë dhe ZPS ka intervistuar shumë persona që kanë kaluar kohë në fabrikën e metalit apo në Brigadën 128. Shumica e këtyre dëshmitarëve që ZPS ka vendosur të mos i thërrasë për të dhënë dëshmi, kundërshtojnë pretendimet e prokurorisë”, deklaroi ai.
Sipas tij, këta persona thonë që nuk e njohin Pjetër Shalën dhe nuk njohin asnjë person që thirret “Ujku” ose se e kanë parë shumë rrallë atje, derisa shtoi se shumica e personave të Brigadës 128 e mohojnë se ai ka qenë pjesë e kësaj brigade.
Tutje, tha se ZPS është tërhequr nga këta dëshmitarë e një dëshmitari që ka pamje filmike që tregojnë realitetin lidhur me këtë fabrikë.
Sipas tij, Prokuroria dje ndryshoi çështjen e saj duke thënë se Shala nuk ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës në fabrikë dhe se kjo ishte diçka e re që nuk ishte dëgjuar më herët dhe se e zbehën rolin që kishte ai.
Avokati ndër të tjera tha se Prokuroria është kontradiktore. Ai tha se Shala u habit shumë kur lexoi e dëgjoi se paska qenë pjesë e një grupi që ka ndaluar dhe rrahur disa persona sepse në fakt nuk i ka takuar ndonjëherë këta persona.
“Kemi dy persona që thonë se Shala i ka ndaluar dhe i ka rrahur, por ata nuk e njihnin atë dhe e habitshme. Në fakt më shumë e habitshme për Shalën ishte kur zbuluan karakterin e këtij personi dhe me çka merrej ky person”, tha ai, kurse më pas u vazhdua me përmbajtje të redaktuar.
Tutje, ai vijoi me paraqitjen e disa fotografive për të pranishmit në sallë, por se të njëjtat nuk u transmetuan për publikun.
“Lexoni këtë përshkrim që bëhet për zotin Shala dhe kjo është shumë e çuditshme, një nga gjërat më të çuditshme që shihen dhe nuk ka të bëjë fare me tiparet e të akuzuarit dhe kjo është cilësia e dëshmitarëve që kanë ardhë si rezultat i hetimeve të ZPS”, tha avokati.
Sipas tij, personat që thonë ZPS se janë ndaluar, nuk flasin fare për Shalën, flasin për “Ujkun” dhe nuk e identifikojnë Shalën.
“Nuk kam ardhur unë këtu për të trilluar gjëra. Të nderuar gjykatës duket disa persona që ZPS thotë se janë ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës e kanë mohuar një gjë të tillë, por megjithatë një çudi nuk është zhdukur ende deri më sot dhe është mungesa e cilësisë së hetimeve të kësaj çështje. Hetimet e mëparshme që ka marrë nga hetuesit e mëparshëm ZPS dhe hetimet e mëtejshme që ka bërë vet ZPS kanë konfirmuar se realiteti është i ndryshëm, por ZPS ka bërë zgjedhje të çuditshme duke paraqitur akuza ndaj Pjetër Shalës”, tha tutje.
Avokati tha se shqetësimi dhe qortimet që kanë për hetimin nuk janë të kufizuar në atë çfarë kanë bërë ZPS, por edhe në ato që u kanë paraprirë atyre.
“Së pari, ato hetime të cilat kishin në qendër të vëmendjes të ashtuquajturin trafikimi i organeve”, tha ai, duke i quajtur të pavërteta pretendimet që ishin ngritur, e më pas u redaktua sërish përmbajtja e deklarimit të tij.
Policia kontrolli një lokal në Pejë, arrestoi një person – i...
Vëllai i Madh liron nga kafazi banorët pas 24 orëve
Policia “rrjep” me gjoba qytetarët, Jashari: Prioriteti i ty...
Izraeli sulmon Bejrutin, Hezbollahu bazat ushtarake izraelit...
Galatasaray i vendosur ta thyej rekordin e transferimeve në ...
Haradinaj: Luan, linde 51 vjet më parë por për ne mbetesh gj...