Google ADS

Specialja ua vazhdon paraburgimin Krasniqit e Selimit

15:35 | 25 Maj 2023
Emir Abduramani

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kështu kanë njoftuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

“Trupi Gjykues, më 17 maj 2023, urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me vendim përkatës për secilin”.

“Trupi Gjykues konstatoi se ekziston ende rreziku që z. Krasniqi dhe z. Selimi mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose do të japin dëshmi në çështjen gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën e DhSK.

Bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020, teksa gjykimi i tyre ka filluar më 3 prill të këtij viti.

Ata po akuzohen për krime lufte, krime kundër njerëzimit, torturim dhe trajtime çnjerëzore të mbi 100 personave gjatë kohës së luftës në Kosovë./Arbresh.info

Të ngjashme