Robotët mjekësorë i ndihmojnë kirurgët të kryejnë operacione delikate në mënyrë më të sigurtë dhe me zhdërvjellësi më të madhe krahasuar me instrumentat e përdorur manualisht. Këto mjete të sofistikuara gjithashtu ndihmojnë doktorët ta përfundojnë punën më shpejt. Një makineri e tillë ul kohën e duhur për prodhimin në pak orë të kurorave dentare.
Instrumentat e ndihmuar nga kompjuterat po ua lehtësojnë gjithnjë e më shumë jetën doktorëve dhe pacientëve të tyre.
Dikur, për të vendosur një kurorë dhëmbësh, proçedura e komplikuar kërkonte disa vizita tek dentisti. Ndërkohë që një teknik përgatiste pjesën që do të zëvendësonte përgjithnjë dhëmbin e dëmtuar, pacientit i duhej të mbante një kurorë të përkohshme.
Që nga mesi i viteve ’80-të, kjo proçedurë është marrë përsipër gradualisht nga makineri robotike, të cilat e ulin punën në pak më shumë se dy orë. Pjesa e qëndrimit ulur në karrigen e dentistit është reduktuar edhe më shumë:
“Duhen rreth 12 minuta ulur në karrige për pacientin, dhe pjesa tjetër e punës kryhet jashtë gojës së pacientit.”- thotë dentisti Michael Silveus
Në zyrën e tij në Virxhinian veriore, pranë Uashingtonit, dentisti Michael Silveus dhe ndihmësi i tij përgatisin dhëmbin e një pacienti për një kurorë të re.
I gjithë shpimi merr vetëm pesë minuta.
Në vend që të marrin shëmbëlltyrën e dhëmbit të dëmtuar nëpërmjet një forme plastike, zoti Silveus përdor një thupër me videokamera për të skanuar dhëmbin dhe pjesën përreth.
Në këtë pikë proçesin e merr përsipër kompjuteri, i cili dizenjon kurorën e re dhe krijon udhëzimet për një makineri prodhimi robotike.
Një kub prej porcelani, jo më i madh se dhëmbi, futet ndërmjet dy sondave preçize, të ngjashme me sondën e dentistit, të cilat gërryejnë materialin e panevojshëm, duke e shndërruar kubin në një kurorë që përputhet plotësisht me dhëmbin.
Që të forcohet, kurora duhet pjekur në temperaturë të lartë për rreth dhjetë minuta. Gjatë këtij proçesi, i jepet gjithashtu ngjyra që përputhet me dhëmbët fqinjë, dhe është gati të ngjitet në gojën e pacientit.
Pacientët janë të kënaqur me rezultatin:
“Është ndjesi e mrekullueshme. Dhëmbi ngjason sikur të jetë i imi.”
Doktor Silveus thotë se madje edhe kësaj teknologjie mund t’i kalojë koha:
“Diçka tjetër që do të mirëprisnim është inxhinieria gjenetike dhe më pas klonimi, në mënyrë që kurorat të prodhohen nga smalti, siç janë dhëmbët natyralë të pacientëve.”
Por tani për tani, thotë ai, pacientët janë të kënaqur me mundësinë për një kurorë të re me vetëm një vizitë tek dentisti. (VOA)
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...