Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten në Ferizaj se më 6 tetor nuk ka asgjë që do ta ndalë fitoren e LDK-së dhe të jeni të bindur se nuk do t’ju zhgënjejmë.
“Sot dalim para secilit prej jush ballëhapur, për fjalën që e kemi mbajtë, por edhe për punën e ndershme që gjithmonë e ka bërë LDK-ja për mbrojtje të shtetit. Kurrë më qartë nuk e kemi pasur sesa sot në Ferizaj. Në Ferizaj po e shoh fitoren e pakontestueshme të LDK-së në këto zgjedhje”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se në Ferizaj po e shoh se përfundimisht po e dërgojmë PDK-në në opozitë, por edhe çdo parti tjetër që e ka degraduar shtetin.
“Po shoh që Ferizaj po zgjedh ndërmjet demokracisë dhe anarkisë – ka vendosë me zgjedh demokracinë”, ka thënë Osmani, e cila në këtë tubim shoqërohej nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe lidershipi i partisë.
Osmani ka thënë se ne dallojmë nga të gjithë të tjerët në këtë garë për ta udhëhequr Kosovën, sepse kemi një ekip të pastër si loti.
“Të tjerët lëre që kanë njerëz me aktakuza dhe me ndalesa nga Shtetet e Bashkuara, nga shpëtimtarët tanë, por as nuk kanë kompetencë, as nuk kanë ide dhe as nuk kanë vizion. Ata e kanë vetëm një gjë, përvojën në kapjen e shtetit. Asgjë tjetër nuk i kanë ofruar këtij shteti deri sot. Përderisa të tjerët i kanë dyert e mbyllura nëpër botë, LDK-ja e ka çdo derë të hapur. Në këto dyer në historinë e Kosovës ne kemi trokitur vetëm për të bërë miq për shtetin tonë. Vetëm për të krijuar miqësi për të ndërtuar këtë shtet”, ka pohuar Osmani.
Ajo shtoi se ne kemi program qeverisës të bazuar në ekspertizë, program të realizueshëm që në qendër e ka familjen kosovare, sepse familja është shtylla dhe baza e një shteti të suksesshëm.
“Të tjerët ndërkaq po e ofendojnë inteligjencën e qytetarëve me parullat kundër korrupsionit, kur vetë janë sinonim i krimit dhe korrupsionit. Ne organeve të drejtësisë do t’ju sigurojmë kushte për të ofruar rend dhe ligj. Është vetëm një vullnet të cilit i nënshtrohem unë dhe LDK-ja, dhe ai është vullneti i qytetarëve të Kosovës, asnjë vullnet tjetër”, ka thënë Osmani.
Ajo potencoi se LDK i ka hyrë kësaj gare për rininë e Kosovës. “Nuk ka trishtim më të madh për Kosovën dhe familjet tona, për ta përjetuar ikjen e fëmijëve të tyre. Nuk ka trishtim më të madh kur shohim se Kosova po zbrazet. Kjo rini është arsyeja pse ne garojmë në këtë garë. Të tjerët shikojnë të krijojnë perspektivë për vete, të tjerët synojnë ta ç’kapin shtetin nga njëri grup për ta kapur për vete. Ndërsa ne jemi në këtë garë për ju, që Republika t’ju kthehet qytetarëve të Kosovës, sepse ju e ndërtuat këtë shtet dhe ai ju takon juve”, shtoi Osmani.
Duke folur për projektin e LDK-së, në fushën e ekonomisë, Osmani ka thënë se falë punës së ndershme dhe taksave tuaja, ne do të mbajmë shkollat për fëmijë, do të ofrojmë shëndet në shëndetësi dhe do të sigurojmë drejtësi nëpër gjykatore.
“Programi ynë në thelb është ekonomik. Ne nuk ofrojmë reforma agrare. Ne nuk i kthejmë kooperativat nacionale, është viti 2019 është shekulli 21. Ne jemi për ekonomi të tregut sepse besojmë në bizneset private, siç janë ato të Ferizajt”, tha ajo.
Duke folur për planet qeverisës, Osmani tha se pasi të fitojmë zgjedhjet dhe të nisim qeverisjen, ne do të krijojmë një Fond Investiv, që investon 300 milionë euro të privatizimit, në projekte që ju bashkë me shtetin i mbani të rëndësishme. “Do të krijojmë Fondin garantues të kredive, që bën qasjen në financa shumë më të lehtë. Në programin ekonomik kemi paraparë pakon e tretë fiskale, që TVSH-në do ta mbledhim nga brenda”, shtoi ajo.
Osmani ka kritikuar dukuritë e presionit të shtetit ndaj bizneseve. “Haraçi dhe presioni mbi bizneset do të ndërpritet në momentin që qytetarët e Kosovës do ta vendosin votën e lirë për LDK-në më 6 tetor. Shteti do të bëhet përkrahës, e jo mjet presioni mbi bizneset. Do t’i mbrojmë bizneset dhe të drejtat e punëtorëve. 8 orë punë dhe asnjë sekondë ma shumë kemi premtuar”, tha Osmani.
Kandidates së LDK-së për kryeministre i ka dhënë përkrahje edhe kryetari i partisë, Isa Mustafa. “Erdha për tu takuar me ju dhe për t’i dhënë mbështetjen e madhe, së bashku me ju Vjosa Osmanit, kandidates sonë për kryeministre të Kosovës. Vjosa e ka përkrahjen e plotë të të gjitha organeve të Lidhjes Demokratike, Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, ka përkrahjen e degëve dhe po ashtu shpresoj dhe besoj shumë se Vjosa e ka përkrahjen edhe të shumicë së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Muharrem Sfarqa, kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj, ka thënë se i gjithë Ferizaj është pjesë e fitores së LDK-së dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ferizaj mirëpret liderin tonë Mustafa dhe kryeministren Osmani. Osmani do ta rikthejë për së mbari shtetin e Kosovës. PAN-i ka plaçkitur dhe gllabëruar paranë publike. Këtij modeli të keq të qeverisjes po i vjen fundi. Jemi bashkuar të gjitha gjeneratat për ta përkrahur kryeministren Vjosa Osmane”, tha Sfarqa./arbresh.info/
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...