Lulzim Berisha ka konfirmuar se do të vazhdojë të jetë kryetar i grupit zyrtar të tifozëve të Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, pas një shkrimi në rrjetet sociale ku kishte lënë të kuptohej se po e largohej.
Berisha shkaktoi huti të hënën në mbrëmje kur shkroi në llogarinë e vet në Facebook se “Do të më kërkoni, por do të jetë vonë”. Ky shkrim i tij u kuptua në publik si një largim i tij nga kreu i tifozëve zyrtarë të ekipit kombëtar.
Por Berisha – kryetari i parë dhe i vetëm deri tani i “Dardanëve” – për një prononcim për media të martën se shkrimi i tij në Facebook ka të bëjë me çështje personale dhe assesi me largimin e tij nga posti i kryetarit të “Dardanëve”.
“Jo, s’jam larguar nga posti, kjo ka të bëjë me çështje personale e jo diçka me postin (tim). Është çështje personale”, tha Berisha për Express.
Ai shtoi: “Do të ishte mirë t’ia sqaroni opinionit, sepse e morën pak si gabim (postimin në Facebook) e më vjen keq që janë shqetësuar kaq shumë njerëzit. Mbetem, se jam i nderuar por (është) vetëm çështje personale”.
“Dardanët” ishin në gjendje ta mbështesnin Kosovën në stadium këtë muaj për herë të parë pas gati dy vjetësh, por vetëm në një numër të kufizuar, për shkak të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Pasi pandemia e Covid-19 ua kishte pamundësuar atyre praninë në Stadiumin Fadil Vokrri për ta mbështetur Kombëtaren për një kohë të gjatë, “Dardanët” ishin përkrahës të zëshëm të Kosovës në barazimin dramatik 1:1 me Greqinë në çastet e fundit të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës dhe në humbjen e pamerituar me Spanjën në shtator.
Kosova do t’i ketë edhe tri ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar 2022, por është e pashpresë dhe pa ndonjë gjasë për ta siguruar pjesëmarrjen në një Kupë Bote për herë të parë.
Verdhekaltrit janë në vendin e katërt në Grupin B me katër pikë, nëntë më pak se liderja Spanja dhe pesë më pak se vendi i dytë, Suedia.
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...