Kurti takoi senatorin amerikan Chris Murphy, i kërkon t’i bëjë SHBA-ja trysni Beogradit për arrestimin e Millan Radoiçiqit

14:15 | 21 Gusht 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u takua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me senatorin Chris Murphy, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike.

Së pari, duke theksuar marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti shprehu interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët tanë amerikanë, përcjell Arbresh.info.

Më tej, ata biseduan edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.

“Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë. Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet në komunikatën për media nga ZKM.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti e falënderoi senatorin Murphy për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj Kosovës./Arbresh.info

Të ngjashme