Google ADS

Kurti falënderoi Ambasadorin kanadez për pranimin e shtatë mijë refugjatëve nga Kosova në vitin 1999

13:21 | 15 Tetor 2021
arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori jorezident i Kanadasë për Kosovë, Alan Bowman u takuan sot për të diskutuar mbi marrëdhëniet miqësore dhe bilaterale ndërmjet dy vendeve. Mbështetja e Kanadasë për Kosovën dhe popullin e saj ka filluar herët, në momentet më kritike, dhe nuk ka reshtur për asnjë moment.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin kanadez për pranimin e 7 mijë refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, në veçanti në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, dhe ndihmën e dhënë në luftimin e COVID-19.

Kryeministri Kurti shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugëtimin e saj për integrim dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, teksa veçoi rëndësinë e demokratizimit të rajonit, luftimit kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, ballafaqimit me të kaluarën, dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave si parakushte për marrëdhënie dhe bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

Për ambasadorin Bowman, i cili është ambasador rezident në Zagreb të Kroacisë, kjo ishte vizita e parë në Kosovë që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Ai e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe i uroi suksese në përgjegjësitë e tij të reja pas fitores në zgjedhjet parlamentare të këtij fillimviti. Kanadaja do të vazhdojë përkushtimin e saj ndaj Kosovës, u shpreh ambasadori Bowman. Ai theksoi se demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe tregu i lirë janë vlera të përbashkëta të Kanadasë dhe Kosovës.

Të udhëhequra nga këto vlera, Kosova dhe Kanadaja janë dy vende që janë dëshmuar me mikpritjen e refugjatëve nga Afganistani.

Kryeministrit Kurti dhe ambasadori Bowman po ashtu diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë e tërheqjes së investimeve në Kosovë, sidomos në fushën e teknologjisë informative, ku Kosova ka shumë potencial./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme