Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë gjatë mbrëmjes së sotme në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, 111 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti fillimisht uroi të gjithë shqiptarët për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024.
Më tej, duke ndërlidhur tre data të rëndësishme për popullin shqiptar, kryeministri Kurti tha se ”28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit, e bashkimit dhe e pavarësisë, e shtetit dhe e fitores. 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë në mes të shekullit XV, 28 nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë në fillim të shekullit XX, dhe 28 nëntori i Adem Jasharit në Prekaz në fund të shekullit XX, janë filli historik i thurjes kombëtare të ne shqiptarëve”.
Ai tha se pikërisht në kulmin e fushatave kriminale të ushtrive serbe që shkuan deri në Durrës dhe Elbasan, patriotët shqiptarë të rrymave dhe krahëve të ndryshëm, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës, ku Shqipëria u shpall e pavarur.
“Pas një jave do të mbushen plot 111 vite nga ajo ditë kur drejtuesi i atij kuvendi kombëtar, Ismail Qemal Vlora, u bë edhe kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.”, tha Kurti.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin”, shtoi ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Mbrëmë u vulos Shqipëria në EURO 2024 në Gjermani, andaj edhe festimi sonte i 28 Nëntorit, një javë më përpara, në fakt, është mu në kohën e duhur. Urime të gjithëve e suksese të mëtejme!
Shkëlqesia Juaj, Presidente e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,
Shkëlqesia Juaj z. Petrit Malaj, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe e nderuara znj. Aneta Malaj,
Shkëlqesia Juaj z. Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin,
Shkëlqesi ambasadorë, dhe ju të tjerë diplomatë të misioneve në Kosovë,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit e drejtues dhe zyrtarë në institucionet e shtetit,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit, e bashkimit dhe e pavarësisë, e shtetit dhe e fitores. 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë në mes të shekullit XV, 28 nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë në fillim të shekullit XX, dhe 28 nëntori i Adem Jasharit në Prekaz në fund të shekullit XX, janë filli historik i thurjes kombëtare të ne shqiptarëve.
Teksa festojmë, edhe kujtojmë e përkujtojmë. Shumë vetëmohim, sakrificë e përpjekje janë bërë, shumë gjak, lot e djersë është derdhur, që ne të kremtojmë, të gëzohemi e të përparojmë.
Një muaj më parë, më 22 tetor, kujtuam 111 vjetorin e hyrjes në Prishtinë të ushtrisë serbe dhe pushtimin e Kosovës nga Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ku vetëm në Kosovë u vranë mbi 25 mijë civilë shqiptarë.
Social-demokrati austriak me origjinë hebreje, Leo Freundlich, na ka lënë një libër shumë të vlefshëm të përbërë nga reportazhet e gazetave evropiane të kohës, për krimet e kryera mbi shqiptarët ato javë. I botuar në fund të marsit të vitit 1913 dhe i titulluar “Golgota shqiptare”, te ky libër, ai shkruan, po citoj: “Serbët erdhën në Shqipëri jo si çlirimtarë por si vrasës të shqiptarëve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër u sugjerua që kufijtë e Shqipërisë të përcaktoheshin sipas statistikave kombëtare ose emërtimeve, të cilat një komision do t’i mblidhte aty për aty. Serbët nxituan t’i përgatisin këto statistika me mitraloza, pushkë dhe bajoneta”, mbaron citati.
Pikërisht në kulmin e fushatave kriminale të ushtrive serbe që shkuan deri në Durrës dhe Elbasan, patriotët shqiptarë të rrymave dhe krahëve të ndryshëm, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës, ku Shqipëria u shpall e pavarur. Pas një jave do të mbushen plot 111 vite nga ajo ditë kur drejtuesi i atij kuvendi kombëtar, Ismail Qemal Vlora, u bë edhe kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.
Por ku ishte Ismail Qemali 111 vite më parë, më 21 nëntor 1912, që atë vit kishte qëlluar ditë e enjte? Një natë më parë, më 20 nëntor, Ismail Qemali ishte në ujërat e detit Adriatik, duke lundruar me anijen avullore “Brunn”, që po shkonte nga Triesta e Italisë në Aleksandri të Egjiptit.
Pikërisht atë natë, ai bashkë me tre djemtë e tij dhe me aktivistë patriotë që po e shoqëronin, kaloi diku në Gjirin e Rodonit nga ajo anije “Brunn” në anijen e Llojdit Austriak “Graf Ëurmbrand”. Mëngjesin e 21 nëntorit 1912, Ismail Qemali dhe shoqëruesit e tij shkelën në skelën e Durrësit. Nga këtu, nis ai udhëtim i tij i famshëm drejt Vlorës, që me të drejtë është quajtur udhëtimi i pavarësisë. Pra, mund të thuhet që nga sot, kemi hyrë në përvjetorin e 111-të të udhëtimit një javor të Ismail Qemalit nga Durrësi drejt Vlorës, destinacionit të vendlindjes së tij por edhe destinacionit të projektit politik rilindas: shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Të nderuar të pranishëm,
Historia e ka vesin e përsëritjes. Qëllimi i shtetimit të shqiptarëve vijon sipas të njëjtit vullnet si ai i Qemal Vlorës dhe Hasan Prishtinës. Me dy emra qytetesh që sot janë emrat e kryeqyteteve tona ku janë shpallur dy akte pavarësie, në fakt shënojnë edhe dy mbiemrat e vetë atyre rilindasve. Si atëherë, edhe sot, rreziqet dhe burimet e tyre janë të pranishëm. Krahasuar me 28 nëntorin e shekullit të shkuar, gjeopolitika ka mbetur pothuajse e njëjta, por ne jemi shumë më të fuqishëm. Le të urojmë më së pari në këtë 111 vjetor fuqinë tonë në këtë datë të lartë të kombit shqiptar.
Le të punojmë e fitojmë e festojmë bashkë, në çdo fushë e vend, tërë kohën pajada. E patëm në Kosovë një ambasador të Shqipërisë aktiv, z. Qemal Minxhozin, jam i sigurt që po aq i mirë dhe efektiv do të jetë edhe ambasadori i ri, shkëlqesia e tij z. Petrit Malaj. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin.
E sonte, urime fillimisht për rankimin në vendin e parë të kombëtares shqiptare të futbollit, si një arritje shumë e madhe. Ambiciet tona të dikurshme të kufizuara në kualifikim për kampionat, i takojnë së kaluarës, dhe po zëvendësohen me ambicie për kalimin e fazës së grupeve drejt niveleve sa më të larta.
Ju faleminderit dhe urime 28 Nëntori me gjithë çfarë përfaqëson kjo datë historike si festë kombëtare!
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...