Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, morën pjesë në shënimin e 21- vjetorit të themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij të rastit, tha se 21 vjet të Asociacionit të Komunave të Kosovës, padyshim se janë një kohë e mjaftueshme për të bërë bilance, por edhe për të nxjerrë mësime se si të bëjmë më shumë e më mirë. Ai tha se komunat i njohin nga afër nevojat e qytetarëve, por edhe mundësitë e tyre.
“Po u identifikuan mirë e saktë këto nevoja, mundësi e shkathtësi të reja nëpër komuna, kemi bërë punën e duhur edhe në orientimin e zhvillimit të gjithmbarshëm”, shtoi ai.
Si Qeveri, vazhdoi kryeministri Kurti, paralelisht me reformat e përgjithshme, të cilat pa dyshim se do të kenë ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e komunave, po punojmë edhe në drejtim të mbështetjes së komunave e shtimit të shërbimeve publike si dhe rritjes së cilësisë së tyre.
“Përgjatë këtyre viteve kemi rritur fondin e dedikuar për performancë të komunave si dhe kemi fuqizuar kapacitetet administrative për menaxhimin e saj. Vetëm këtë vit kemi ndarë 7.8 milionë euro bashkëfinancim me donatorë për skemën e këtij granti, ku janë shpërblyer 14 komuna për punën më të mirë dhe janë financuar 25 projekte të tyre. Si rritje rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32%. Pra, kemi ndarë rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet për nivelin komunal’, tha kryeministri Kurti.
Sipas kryeministrit, për përparimin më të shpejtë e me cilësi më të madhe të komunave kanë rëndësi që të gjithë, secila kategori shoqërore, por ai veçoi mërgatën, gratë dhe rininë. Këto janë tri kategoritë kryesore shoqërore që i bëjnë reformat e thella aq shumë të domosdoshme në vendin tonë, shtoi ai.
Kryeministri Kurti u tha kryetarëve të komunave se si Qeveri do të dëgjojmë me vëmendje nevojat, kërkesat, por edhe idetë e juaja.
“Komuna është e përbashkët, andaj siç jemi bashkë në këtë 21- vjetor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, le të jemi për çdo ditë në shumë e shumë vite në vijim”, tha ai në përmbyllje të fjalës./arbresh.info/
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...