Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Begaj ka uruar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.
Ndërkaq Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik.
“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, ka theksuar Osmani.
Përmes një komunikate për media nga Presidenca bëhet e ditur se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga të dy presidentët u vlerësuan jo vetëm miqësore, por vëllazërore, ndaj u zotuan se do të angazhohen për intensifikim të tyre.
Në këtë funksion, Osmani vuri në dukje nevojën për një koordinim dhe harmonizim të mëtejmë, posaçërisht në sferën e politikës së jashtme, me ç`rast potencoi nevojën që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet ku aktualisht Kosova nuk ka përfaqësim.
Të dy presidentët theksuan se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë dhe se stabiliteti i rajonit është jetik në mënyrë që të dy shtetet të vazhdojnë rrugëtimin evropian./arbresh.info/
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...