Google ADS

​Hamza: Panairi, pasqyrë e mirë e zhvillimit të sistemit financiar në vend

12:44 | 29 Shtator 2015
Arbresh.info

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit u hap Panairi Financiar 2015, i cili po mbahet brenda Pallatit të Rinisë. Ky panair është mundësi e mirë që klientët apo bizneset të njihen me ofertat financiare, të cilat i ofrojnë bankat komerciale që operojnë në Kosovë.

Norma vjetore e kredive aktive të sektorit bankar këtë vit ka shënuar rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e cila ka arritur shifrën prej 2 miliardë eurove, me rritje prej 7.4 përqind.

Risitë e Panairit Financiar të sivjetshëm janë të shumta. Ndër to janë kompanitë e auditimit, kompanitë e edukimit. Ndërsa risia më e mirë është ajo e fondit të garantimit të kredive, i cili është institucion në formim e sipër.

Për të përshëndetur të pranishmit dhe për t’i njoftuar më shumë rreth sektorit bankar, i pranishëm ishte guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza. Ai me këtë rast tha se panairi financiar këtë vit po shërben si pasqyrë e mirë e zhvillimit të vazhdueshëm të sistemit financiar.

“Shtimi i vazhdueshëm i numrit të institucioneve financiare, që operojnë në Kosovë së bashku më zgjerimin e gamës të produkteve financiare, të ofruara në tregun vendor, ka bërë që panairi financiar çdo vit të sjellë risi dhe në këtë mënyrë të shërbejë si një pasqyrë mjaft e mirë e zhvillimit të vazhdueshëm të sistemit financiar të Kosovës. Përveç mundësisë që iu ofron klientëve individualë dhe bizneseve që njihen me ofertën e produkteve financiare në Kosovë, ky panair mund të shërbejë si një mundësi shumë e mirë edhe për nxitjen e një ndërlidhje më të madhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm të sistemit financiar të Kosovës, gjë e cila mund t’i jep një shtytje më të madhe zhvillimit të mëtejmë të këtij sistemi”, tha Hamza.

Sipas tij roli i sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, ka shënuar përmirësim të mëtejmë në periudhën e fundit, kryesisht zhvillimit në k uadër të aktivitetit të sektorit bankar.

Hamza më tej tha se në gusht të këtij viti gjithsej kreditë aktive të sektorit bankar arritën vlerën prej rreth 2 miliardë euro, duke shënuar një normë vjetore të rritjes prej 7.4 përqind, krahasuar me rritjen prej 3.2 të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kurse, kryetari I bordit të shoqatave të bankave, Ilir Aliu tha se panairi është mundësi e mirë për dialog mes konsumatorëve dhe sektorit financiar, që të shohin inovacionet e zhvillimit në sektorin bankar. Ai po ashtu foli edhe për risitë që ka sjellë këtë vit panairi.

“Ky panair financiar është një mundësi që konsumatorët dhe sektori financiar të dialogojnë bashkë, t’i shohim inovacionet e zhvillimeve të sektorit bankar dhe të shohim ofertat e tyre, cilat janë në përgjithësi. Unë besoj se këto dy ditë, sektori financiar gjithashtu edhe akterët kryesorë ekonomik të Kosovës së bashku me sektorin financiar dhe mund të bëjnë një dialog për t’i kuptuar gjitha anët e interesit. Panairi është një mundësi që konsumatorët të njihen jo vetëm me sektorin bankar, por edhe me sektorin mikrofinanciar edhe me sektorin e kompanive të sigurimit”, tha Aliu.

Gjatë këtij panairi u tha se Banka Qendrore do vazhdojë ta mbështesë sektorin bankar, i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillim të vendit.

Panairi ka filluar sot dhe do të jetëi hapur për konsumatorë e biznese deri nesër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme