Google ADS

Zyrtarët e KQZ-së keqpërdorin veturat zyrtare, manipuluan edhe me kilometra

08:07 | 25 Qershor 2020
Arbresh.info

Disa zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë keqpërdorur veturat zyrtare gjatë vitit që lamë pas.

Ata kanë shfrytëzuar veturat duke mos respektuar mënyrën e përdorimit të rregulluar me Udhëzuesin Administrativ për përdorim të automjeteve zyrtare të KQZ-së, shkruan arbresh.info.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ka gjetur se tri vetura brenda këtij institucioni nuk kishin formuluar të plotësuar për përdorimin e automjetit,

“Gjatë testimeve të urdhëresave për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, kemi identifikuar se tek automjetet 5Z-003-03, 5Z-005-03 dhe 5Z-006-03, nuk kishte formular të plotësuar për përdorimin e automjetit si dhe në fletudhëtim nuk ishte plotësuar koha e nisjes dhe kthimit, destinimi i udhëtimit, kilometrat e kaluara dhe nënshkrimi nga shfrytëzuesi i automjetit”, thuhet në raport.

E sipas udhëzimit ndër të tjera vozitësi duhet të identifikoj kohën e nisjes dhe kthimit, dhe numrin e kilometrave të kaluara të automjetit.

Udhëzimi Administrativ nr.04/2015 për përdorim të automjeteve zyrtare të KQZ-së, përcakton mënyrën e përdorimit të tyre. Sipas nenit 2, pikës 7, shfrytëzuesi i automjetit duhet ta plotësoj formularin për përdorimin e automjetit dhe çdo drejtues i automjetit zyrtar, është i obliguar që në urdhrin për shfrytëzimin e automjetit për punë zyrtare të shënoj, numrin rendor të evidencës, emrin dhe mbiemrin e shfrytëzuesit, kohën e nisjes dhe kthimit, numrin e kilometrave të kaluara të automjetit.

Sipas zyrës Kombëtare të Auditimit e Republikës së Kosovës kjo gjetje rrit rrezikun për shfrytëzimin.

“Ndikimi Mosrespektimi i procedurave për menaxhimin dhe përdorimin e automjeteve, rrit rrezikun për shfrytëzimin jo racional të tyre dhe e pamundëson monitorimin sistematik të tyre”, thuhet në raport.

Gjithashtu është rekomanduar që për çdo udhëtim, shfrytëzuesit të u përmbahen udhëzimeve.

“Rekomandimi B2 Kryetarja e KQZ-së duhet të rishikoj shkaqet e mosrespektimit të UA nr.4/2015 dhe të siguroj që të gjithë shfrytëzuesit e automjeteve zyrtare të ju përmbahen udhëzimeve në plotësimin e formularëve dhe fletudhëtimeve për çdo udhëtim”, thuhet më tej në raport.

Ndryshe, nuk janë të vogla rastet e keqpërdorimit të veturave zyrtare në Kosovë.

Një të tillë e kishte identifikuar edhe arbresh.info në shkurt të këtij viti.

Gresa Caka-Nimani e cila mban pozitën e gjyqtares në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, veturën zyrtare e shfrytëzon edhe për vajtje-ardhje në punë.

arbresh.info për disa ditë kishte përcjell gjyqtaren teksa në pamje shihet se ajo e merr veturën në shtëpi, madje në një xhirim tjetër shihet teksa shkon në shtëpi pas pauzës.

Saktësisht të hënën e 27 janarit 2020 vetura zyrtare e gjyqtares, Gresa Caka-Nimani  gjendej e parkuar para shtëpisë së saj në një nga lagjet luksoze të kryeqytetit. Vetura ka qëndruar aty edhe mbas orës 09:00, në kohën kur ajo do të duhej të ishte në punë.

E përdorimi i veturave zyrtare në Gjykatën Kushtetuese është i rregulluar përmes një udhëzimi administrativ. Saktësisht me udhëzimin administrativ për përdorimin e automjeteve zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Aty thuhet se veturat zyrtare të këtij Institucioni mund të përdoren edhe jashtë orarit të punës me aprovimin e kryetarit.

Saktësisht kryetari i Gjykatës, zëvendëskryetari i Gjykatës, gjyqtarët, sekretari i përgjithshëm, shefi i Kabinetit dhe këshilltarët Juridik përmes një vendimi të posaçëm mund t’i shfrytëzojnë veturat edhe për nevojat e tjera brenda dhe jashtë vendit.

“Personat e paraparë në nenin 2.1 dhe 2.2 I përdorin automjetet zyrtare për kryerjen e punëve që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tyre, për udhëtime zyrtare, për vajtje-ardhje në punë, si dhe raste të veçanta ose të arsyeshme edhe për nevojat e tjera brenda dhe jashtë vendit, me aprovimin e Kryetarit përcaktuar me vendim të posaçëm”, thuhej në udhëzimin administrativ. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme