Google ADS

Zharku: Rrugët rajonale të stërzgjatura do të përfundojnë në 2016

12:55 | 4 Janar 2016
Arbresh.info

Që nga fillimi i vitit 2015 ishin bërë angazhime për implementimin e projekteve me prioritet në infrastrukturë dhe për përgatitjen e pjesës teknike të projekteve të parapara për realizim në këtë vit. Planet ishin ambicioze qysh nga marrja e mandatit, natyrisht me disa projekte të papërfunduara, me disa me probleme, kurse edhe me projekte të reja të cilat janë mese të domosdoshme për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.

Kështu ka thënë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në intervistën për KosovaPress, i cili thotë se mbetet sfiduese edhe për vitin 2016, realizimi i të gjitha kërkesave të komunave të Kosovës për projektet e tyre rrugore, megjithëse ka kufizime buxhetore. Zharku thotë se për vitin e ardhshëm kanë për t’i punuar rreth 100 projekte të reja infrastrukturore.

Ministri i MI-së paralajmëroi se nga fillimi i vitit 2016 do të krijohet Departamenti i ri për Patentë Shofer, i cili sipas tij do të zbatoj politika të reja, duke filluar nga testimi elektronik që besohet se do funksionalizohet nga fillimi i vitit të ardhshëm për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Për vonesën e mosrealizmit të rrugëve rajonale, sidomos ato Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë, ministri Zharku beson se shakatar janë të gjithë faktorët këtu, meqë sipas tij ka pasur edhe probleme pronësore-juridike për shkak të shpronësimeve të ndryshme. Mirëpo, ai ka lajme të mira për llapjanët, për të cilët thotë zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë do të fillon nga viti 2016, për çka janë ndarë edhe 1.5 milion euro nga buxheti i shtetit.

 

“Planet kanë qenë jashtëzakonisht ambicioze qysh nga marrja e mandatit, natyrisht me disa projekte të papërfunduara, me disa me probleme, kurse ka edhe projekte të reja të cilat janë mese të domosdoshme për zhvillimin e infrastrukturës tonë rrugore apo hekurudhore. Sa i përket sfidave, natyrisht se sfidat më të mëdha ekzistojnë në zbatimin e projekteve në përfundimin e punimeve për shkak se në shumë raste projektet nuk përputhen apo nuk janë kryer në mënyrë profesionale. Kurse, sfidë e posaçme në këtë aspekt ekzistojnë edhe marrëdhëniet pronësore-juridike, përkatësisht çështja e shpronësimeve qoft ë për zgjerimin e rrugëve aktuale apo rrugëve të reja”, thotë Zharku.

Sfidë mbetet për ministrin edhe buxheti jo i mjaftueshëm për realizimin e të gjitha nevojave dhe kërkesave për infrastrukturë të re. Buxheti jo i mjaftueshëm qoftë për përfundimin e autostradës aktuale projektit më madhor autostradës “Arbër Xhaferi”. Në anën tjetër, kërkesat e mëdha të komunave për infrastrukturë, qoftë për rehabilitimin e infrastrukturës aktuale apo për ndërtimin e rrugëve të reja. Ai thotë se deri në fund të vitit kanë marrë kërkesa në vlerë mbi 80 milionë euro nga komunat për rrugët e ndryshme në bashkëfinancim e që vetëm disa prej tyre kanë arritur që t’i përfshijmë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Zharku thotë se nga viti i ardhshëm do të ketë ndryshime substanciale, natyrisht kualitative për rritjen dhe vetëdijen e qytetarëve tanë për aftësimin e tyre dhe për pjesëmarrjen në komunikacion.

 

“Do të vazhdojmë me ngritjen apo me përmirësimin e ambientit për biznes në fushën e transportit dhe aviacionit si dhe do të përmirësojmë natyrisht mënyrën e dhënies së patentë shoferëve apo rritjen e sigurisë në komunikacion…Ne do të krijojmë një Departament të ri për patentë shofer, ai departament do të zbatoj politika të reja, duke filluar nga testimi elektronik që besojmë se do ta kemi nga fillimi i vitit të ardhshëm. Me aprovimin e Ligjit për patentë shofer do të kemi ndryshime bazë që ka të bëjë me rritjen e numrit të orëve si në aspektin teorik po ashtu edhe praktik për dhënien e provimit për patentë shofer”, thotë ministri Zharku.

Ai paralajmëron se do të ketë edhe shtrenjtim të çmimit për patentë shofer me vet shtimi i numrit të orëve nga 16 orë aktualisht teori dhe 16 orë nga pjesa praktike në 25 orë teori dhe 30 orë praktikë, që për të është domosdoshmëri që të rritet kostoja e aftësimit të kandidatëve për patentë shofer.

 

“Megjithatë, rritja e kostos do të kompensohet për një aftësim shumë më të mirë dhe shumë më cilësor, dhe natyrisht do të rrisim sigurinë në komunikacion për të gjithë pjesëmarrësit”, thotë Zharku.

Ndërsa, për stërzgjatje e punimeve në rrugën e Pejës dhe të Mitrovicës, shkas sipas Zharkut janë problemet e pronësore-juridike dhe kompensimit të tyre. Ai pret që do të përfundojnë në 2016.

 

“Besoi se e kemi një përzierje të gjithë faktorëve këtu. Së pari kemi pasur probleme pronësore-juridike për shkak të shpronësimeve të ndryshme. Rruga për Milloshevë-Lum i Madh ka mbetur pa përfunduar apo punimet janë stërzgjatur për shkak të problemeve të ndryshme pronësore dhe natyrisht kompensimit të tyre. Megjithatë, fatmirësisht gjatë këtij viti kemi arritur që ta përfundojmë një projekt shumë të rëndësishëm. Kanë mbetur edhe disa punë aty që ka të bëjë me qasjen e disa fshatrave në rrugën e re, por që do të trajtohen gjatë vitit të ardhshëm”, thotë Zharku.

Ministri Zharku pret që gjatë vitit të ardhshëm t’i përfundojnë punimet që kanë mbetur prej Gjurgjice deri në Kijevë, dhe të vazhdohet me financim nga BERZh-i, prej Kijevës deri në Zahaq me një projekt të ri.

 

“Në anën tjetër te pjesa që ë kemi të bëjmëGjurgjicë –Kijevë, e keni parë kanë përfunduar dy segmente, por që kanë mbetur disa për shkaqe pronësore kanë mbetur pa përfunduar në dy vende, posaçërisht si të kalohet ura e Llozhicës. Në anën tjetër, natyrisht themi që gjithë këto projekte gjithë këto punë kanë edhe një kufizim buxhetor për shkak se nuk kanë qenë projekte të parapara të realizohen brenda një viti qoftë nga aspekti i vet vëllimit të punëve, por natyrisht edhe nga aspekti i kufizimeve buxhetore. Ne presim që gjatë vitit të ardhshëm t’i përfundojmë edhe këtë pjesën që ka mbetur prej Gjurgjicë deri në Kijevë të vazhdohet me financim nga BERZh prej Kijevës deri në Zahaq me një projekt të ri dhe rrugë të re”, thotë Zharku.

Zgjerimi i rrugës për Podujevë, ministri Zharku thotë se do të fillojë vitin e ardhshëm me mjete që janë ndarë me buxhetin e Kosovës.Megjithëse projekti është në hartim e sipër dhe beson se do të përfundojë deri në maj.

 

“Ne kemi të ndara 1.5 milion euro për pjesën e parë apo për segmentin e parë që do të filloj prej Podujeve deri në Prishtinë. Projekti është në hartim e sipër dhe besojmë që do të përfundoj deri në maj 2016 dhe do të kryhet projekti zbatues. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se niveli i investimeve në këtë rrugë do të varet natyrisht nga niveli i investimeve që do të bëhet edhe me vazhdimin e rrugës së autostradës “Ibrahim Rugova””, thotë Zharku.

Ai thotë se rruga për Podujevë do të zgjerohet, do të fillojnë vitin e ardhshëm dhe vit pas viti qoftë me buxhetin e Kosovës qoftë me një financim të jashtëm përmes BERZh do ta përfundohet kjo rrugë.

Në vitin 2015, ishin asfaltuar rrugë nacionale në vendin tonë 35 km, rrugë rajonale të asfaltuara po në këtë vit ishin 21 km dhe projekte me bashkëfinancim prej 81 km.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme