Brenda një viti në Kosovë janë shkarkuar dy qeveri. E para ajo e Albin Kurtit pas 51 ditësh qeverisje nga një mocion i ngritur nga ish partneri i saj LDK-ja, e e dyta Qeveria e Avdullah Hotit e cila të hënën në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese u cilësua si jo legjitime.
E pas tërë kësaj situate gjykata ka lënë vetëm një mundësi, dërgimin e vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda afatit prej 40 ditësh.
Mirëpo tashmë diskutabile mbetet votimi i projektbuxhetit të shtetit për vitin 2021, e nga i cili varet stabiliteti ekonomik në vend.
Në vazhdën e konsultimeve që po i bën ushtruesja e detyrës së Presidentit Vjosa Osmani me krerë e përfaqësues politik, nga ato që i të takojnë koalicionit qeveritar po kërkohet që para se të shpërbëhet Kuvendi, deputetët të votojnë këtë projektligj.
Por kështu nuk mendojnë në partinë e Albin Kurtit.
Sipas tyre vendi duhet të shkoj sa më parë në zgjedhje e pastaj një qeveri legjitime të dorëzoj në Kuvend buxhetin e i cili do të votohej më pas nga përbërja e re parlamentare.
Hekuran Murati në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk komunikon me qeverinë në detyrë.
Madje sipas tij nga kjo qeveri është e pamundur që të hidhet në votim projektbuxheti.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk komunikon me qeveri në detyrë. Kjo gjë është parë në rastin e ligjit Anti-Covid kur kryesia e Kuvendit nuk pranonte ta procedonte tutje projektligjin për shkak se kishim një qeveri në detyrë. Andaj është e pamundur që ky projektligj i një qeveri në detyrë, e për më tepër edhe ilegale e antikushtetuese, të hidhet në votim në Kuvend”, tha Murati për IndeksOnline.
Në një situatë të tillë ajo çka tash është e domosdoshme sipas Murati është që sa më parë të caktohet data e zgjedhjeve në mënyrë që pastaj buxheti të dorëzohet me kohë.
“Kështu që është e domosdoshme që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundshme, me qëllim që një qeveri e re me legjitimitet të plotë të mund të dorëzojë buxhetin e ri në kohë”, nënvizoj Murati.
Në anën tjetër nga zyra e Kryeministrit për IndeksOnline kanë thënë se Hoti është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.
“Kryeministri Hoti vlerëson se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, tha për IndeksOnline Antigona Baxhaku, Këshilltare Politike.
Ndryshe buxheti më së largu duhet të votohet deri në muajin mars, përndryshe vendi rrezikon të hyjë në krizë financiare.
Sot mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të ...
Parashikimi i motit për sot
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...