Vetëm 3% e naftës kontrollohet për cilësi

15:04 | 14 Mars 2015
Arbresh.info

Brenda 24 orëve në Kosovë importohen 1.5 milion litra naftë, ndërsa vetëm 3 për qind e saj kontrollohet për cilësinë që ka. Kjo po ndodh që pesë vite, qysh nga koha kur është marrë në udhëheqje Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nga ministrja Mimoza Kusari-Lila.

Zyrtarët e MTI-së thonë se janë në proces të kompletimit të inspektoratit me laborator mobil.

Vjollca Dibra, këshilltare për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, (MTI), thotë për KosovaPress se MTI-ja është e interesuar të ketë një kontroll të mirëfilltë të cilësisë së produkteve të naftës që importohen në vend. E për të realizuar këtë projekt, sipas Dibrës, MTI pret përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian.
“Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë jemi duke shikuar infrastrukturën ekzistuese që e kemi në shërbim tani për tani për kontrollimin e cilësisë së naftës. Sigurisht se jemi duke punuar në bashkëpunim që të kemi një projekt të përbashkët me Doganat e Kosovës, por gjithsesi në përkrahje financiare nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Bisedimet jemi duke i zhvilluar”, ka thënë Dibra.

Ajo ka shtuar se janë të interesuar që të ketë një laborator kimik, me qëllim të sigurimit të tregut të naftës. Ky laborator do të siguronte treg të mirë për të gjitha produktet që importohen.

“Jemi të interesuar të kemi një laborator kimik për të siguruar një cilësi të mirëfilltë, jo vetëm të tregut të naftës, por një cilësi të mirëfilltë për të gjitha mallrat. Sigurisht jemi shumë të interesuar që të kemi një laborator mobil i cili do të na mundësonte rishikimin më të shpeshtë të naftës, jo vetëm nëpër pikat doganore por edhe në vendet ku janë vetë pikat ekzistuese të pompave të karburanteve”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Fadil Berjani , kryetar i Shoqatës së Derivateve të Naftës , thotë për Kosovapress se iniciativat të tilla i përkrahin por që kërkon edhe tani të këtë kontroll pasi kjo mund të bëhet me laboratorët ekzistuese.

“Çdo iniciativë për kontroll të cilësisë, ne si shoqatë e përkrahim. Edhe laboratorin mobil ne e përkrahim. Ne duhet të jemi të qartë në qoftë se ka interes Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të kontrolloj cilësinë. Ne i kemi 4 laboratorë, ku unë mendoj që shanset janë edhe sot e kësaj dite që cilësia të kontrollohet sa më shumë “, ka thënë Berjani.

Ai po ashtu ka treguar se vetëm 3 për qind e naftës që importohet në Kosovë kontrollohet për nga cilësia.
“Brenda 24 orëve në Kosovë hyjnë 1.5 milion litra naftë, ku unë mendoj që shumë pak është duke u kontrolluar cilësia në kufi. Rreth 3 për qind kontrollohet cilësia në kufi, më shumë nuk kontrollohet. Ky është problemi se pse ne duhet të mendojmë për një laborator mobil që e ka koston e madhe dhe se sa do të shfrytëzohet ai ”, ka thënë Berjani.

Ramadan Maloku, pronarë i kompanisë “Racional”, që merret me shitjen e derivateve të naftës, thotë se do të ishte mirë që laboratori mobil të jetë aktiv 24 orë në 7 ditë.

“Vetë laboratori mobil po tregon prej emrit që do ta arrinte një mobilizim më të madh në kontrollin e cilësisë së shitjes së derivateve në treg. Këtu duhet me iu falënderuar ministres së tregtisë dhe industrisë që ka marrë këtë punë, dhe ka një përkrahje edhe nga biznesi, që t’i mobilizoj edhe operatorët tjerë mobil. Po kisha pasur një kërkesë që këta operator mobil me qenë aktiv 24 orë”, ka thënë ai.

Maloku po ashtu thotë se cilësia më e mirë do të arrihej me kontrolle befasuese, e që kjo do të rregullonte përfundimisht punën e derivateve.

Ndërsa, zyrtarët e Doganave kanë thënë se janë të gatshëm për çfarëdo bashkëpunimi që kërkohet nga ministria për aplikimin e kontrolleve.

“Dogana është e gatshme që t’i ofroj të gjitha resurset e nevojshme ashtu që të përkrahet ministria në aplikimin e kontrolleve”, ka thënë Adriatik Stavileci , në një prononcim përmes telefonit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme