Veseli krijon zyre për bizneset në Kuvend

11:38 | 20 Maj 2015
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka bërë të ditur se ka vendosur që t’i jap komunitetit të biznesit një zyrë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që bizneset të kenë qasje më të mirë në hartimin dhe ndryshimin e ligjeve për ekonominë.

Veseli e ka bërë këtë të ditur gjatë konferencës së organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me temë “Dialogu dhe partneriteti me komunitetin e Biznesit në hartimin e Legjislacionit”. Veseli tha me këtë rast se këtë vendim po e merr me qëllim që të hartohen ligje sa më të mira të cilat do ta shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik. “Kam marrë një vendim për krijimin e një zyrës suaj në Kuvend në mënyrë që të keni qasje më të afërt me deputetët në hartimin e legjislacionit për ekonominë” ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se këtë vendim e ka marrë për dy arsye të rëndësishme që janë bërja e ligjeve sa më të mira për zhvillimin ekonomik përmes këshillave profesionale nga bizneset dhe për rritur mundësinë e shndërrimit të ideve inovative të ndërmarrësve në ligje sa më të mira për ekonominë.

Kadri Veseli1 (2)

Kryetari i Aleancës Kosovare të biznesit Agim Shahni e ka falënderuar Veselin ne emër të bizneseve për këtë vendim duke thënë se kjo iniciativë është përmendur kaherë mirëpo asnjëherë nuk është marrë ndonjë vendim në këtë drejtim.

“E falënderoj kryetarin Veseli për këtë vendim që t’i jap një zyre bizneseve në Kuvend. Kjo çështje është diskutuar që moti mirëpo asnjëherë nuk ka pasur guxim në këtë drejtim”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, qasja e bizneseve në krijimin e legjislacionit do të jetë mjaft frytdhënës sidomos sa i përket legjislacionit për investimet e huaja të cilat siç tha ai po qëndrojnë mjaft keq në ekonominë vendore.

Përfaqësuesit e bizneseve të pranishme në këtë konferencë e vlerësuan si shumë të rëndësishëm vendimin e kryetarit Veseli duke thënë se kjo iniciativë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e bizneseve dhe në përgjithësi të ekonomisë kosovare./F.Gashi-Mehmeti/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme