VALA zhvendoset në shesh

12:16 | 21 Shtator 2015
Arbresh.info

Nga sot, operatori VALA, do të jetë prezentë në sheshin kryesor të Prishtinës, saktësisht në hyrje të sheshit Zahir Pajaziti.

Objekti i ri i VALA-s promovohet sonte në mbrëmje, ndërsa VALA ka braktisur lokalin që e mori ish-drejtoresha e PTK-së Leme Xhema, në lagjen Qafa në Prishtinë.

Operatori publik VALA, është zhvendosur në sheshin kryesor të Prishtinë, në fillim të sheshit Zahir Pajaziti, duke përqafur konceptin e operatorëve liderë të telefonisë në botë, si Vodafone, T-mobile etj., etj. për t’iu ofruar klientëve shërbime sa më cilësore aty ku janë prezent më së shumti.

Lokali gjigant, prej 1 mijë metra katror, pritet të promovohet publikisht sonte në ora 18:00, ndërsa qytetarët do të mund t’i marrin shërbimet e tyre që nga dita e nesërme.

Portali “Infokusi” ka mësuar po ashtu se VALA ka marrë vendim për ta mbyllur objektin e saj në lagjen Qafa, ku ishte e vendosur që nga koha, kur drejtoreshë ishte Lema Xhema, për të cilin lokal qe bërë mjaft zhurmë. Pronari i objektit te Qafa, siç i kanë thënë “Infokusit” zyrtarët e VALA-s, tashmë e ka marrë njoftimin se nuk do t’i vazhdohet kontrata.

Në ata kohë, kontrata e nënshkruar mes ish-drejtoreshës, Leme Xhema dhe pronarit Blerim Sfirca, ishte kritikuar nga mediet për shkak se paguante një qira të lartë, mbi 20 mijë euro, përkundër se lokali nuk ishte në vend të frekuentuar dhe të përshtatshëm për të ofruar shërbime për klientët e saj.

Gjithashtu “Infokusi”, nga zyrtarët e VALA-s, ka mësuar se koncepti i rregullimit të objekti është bërë modern, me hapësira të mëdha për shërbime cilësore. Do të ndiqet modeli i Vodafone, Tmobile etj., ku veç shërbimeve do të ketë edhe produkte të reja të teknologjisë së fundit.

Bëhet fjalë për telefona të markave të ndryshme, të cilët do të shiten me oferta të VALA-s me kontratë, sikurse në të gjitha vendet perëndimore.

Po ashtu ky objekt, i ka dhënë një pamje të re sheshit të kryeqytetit, pasi objekti deri më tani ka qenë i palyer dhe i parregulluar, duke i dhënë pamje të shëmtuar kësaj pjese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme