Turizmi dimëror në Kosovë ka një traditë relativisht të vonë dhe si i tillë ai ende identifikohet me qendrën e skijmit në Brezovicë. Por, megjithatë, viteve të fundit, në disa pjesë të Kosovës, ka pasur një hov zhvillimi në sektorin e turizmit malor, si në: Rugovë (Pejë), Prevallë (Prizren), Brod (Dragash) dhe Bajgorë (Mitrovicë), ku dhe janë ndërtuar disa qendra rekreative dimërore bashkë me shtigje për skijim
Qendra e skijimit në Brezovicë, me gjithë infrastrukturën gati të shkatërruar dhe në mungesë të investimeve për më shumë se 20 vjet, ende prin në gjithë Kosovën me numrin e turistëve që preferojnë pushimet e bardha. Kompleksi sportiv-rekreativ i Brezovicës, në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2.500 metra, përfshin shtigje të gjera të skijimit me një sistem prej më së paku katër teleferikëve dhe tre ski-liftave.
Sipas të dhënave që jep Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, shtigjet skijimit në Brezovicë janë sipas standardeve botërore të turizmit dimëror. Ato janë të lidhura ndërmjet vete dhe kanë gjatësi mesatare nga 3.000 metra, ndërkaq në të njëjtën kohë mund të skijojnë deri në 50.000 skitarë. Shtigjet e skijimit janë të përshtatshme për sllallom, sllalom të madh, lëshim dhe super G etj.
Çmimet evropiane, kushtet ende larg standardeve
Në Brezovicë, ndërkaq, ka një dyzinë hotelesh të përshtatshme për pushime dimërore, por mes tyre veçojmë hotelin tradicional “Molika” i cili gjendet në lartësinë mbidetare 1700 metra, fare pranë shtigjeve të skijimit. E veçanta e këtij hoteli është se ai ende menaxhohet nga komuna e Shterpcës, dhe duke qenë kështu, ka vite që nuk është investuar në infrastrukturën e tij. Por e mira e këtij hoteli është se aty janë çmimet më të lira dhe kryhen shërbimet që kanë të bëjnë me pajisjet për rrëshqitje. Në kuadër të hotelit është edhe shkolla e skijimit, ndërkaq çmimet aty sillen prej 35 deri në 50 euro nata.
Në afërsi të të shtigjeve të skijimit ndodhet edhe hoteli modern “Woodland Hotel” në lartësi mbidetare 1750 metra. Ky hotel përmban 14 dhoma dyshe, 6 dhoma familjare (me 4 shtretër) si dhe 3 apartamente të pajisura me jacuzzi, por në saje të infrastrukturës moderne, këtu çmimet janë shumë më të larta se në hotel “Molika”. Çmimi për dhomë dyshe në “Woodland Hotel” është 70 uro, për dhomë familjare (me 4 shtretër) 120, për apartament 150 euro etj.
Koncesionari francez planifikon ta bëjë Brezovicën si Zermatt-in e Zvicrës
Ka më shumë se një vit qëkur qendrën e skijimit në Brezovicë Qeveria e Kosovës ia ka dhënë me koncesion një kompanie franceze, por ajo deri më tani nuk e ka bërë asnjë investim. Konsorciumi francez MDP Consulting-Compagnie des Alpes e mori Brezovicën për 99 vjet me një çmim prej 409 milionë eurosh, nga të cilat 165 milionë pritet t’i investojë në tri vitet e para, kurse ka premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune. Në planin investiv të këtij koncesionari parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 10 km, të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standard të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.
Në anën tjetër, qendra dimërore në Bogë të Rugovës nuk ka probleme të natyrës politike, por fuqia investive e privatëve, ka bërë që ajo ende t’i ketë kapacitetet e limituara të një pushimoreje dimërore të standardeve botërore. Shtigjet më të njohura të skijimit në Rugovë janë në fshatin Bogë – në afërsi të hotelit “Magra Austria” në 1450 m mbi nivelin e detit.
Hoteli “Magra Austria” ka një ofertë standarde për turistët me çmime relativisht të ulëta: dhomë dy shtretër 40 euro, tre shtretër 60, dhomë familjare 80 euro (përfshirë mëngjesin me fitnes).
Prevalla “pushtohet” nga turistët e Shqipërisë
Edhe Prevalla ka një ofertë solide për turizëm malor, me disa shtigje për skijim, por edhe aty ka pasur probleme, të cilat kanë bërë që numri i turistëve ende të jetë jo i kënaqshëm. Sipas Agim Berishës, pronar i hotelit “Sharri” në Prevallë, komuna e Prizrenit dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për vite me radhë kanë pasur probleme me ndërtimet pa leje brenda Parkut Nacional “Bjeshkët e Sharrit”. Dhe duke qenë kështu, në Prevallë ka pasur një shmangie të investitorëve dhe turistëve. Por, Berisha tha për “Albinfo” se në dy vitet e fundit ka një rritje të numrit të turistëve, sidomos nga Shqipëria.
“Prej se është hapur autostrada, shumë turistë nga Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Saranda dhe vende të tjera të Shqipërisë, vijnë këtu në Prevallë për skijim dhe për t’i kaluar pushimet dimërore në natyrën me borë”, tha Agim Berisha.
Hotel “Sharri” në Prevallë ndodhet në lartësinë mbidetare 1200 metra. Ai ofron 20 dhoma ekskluzive, 11 apartamente të veçanta jashtë objektit, 2 restorante, qendër biznesi, sallë të madhe konferencash dhe seminaresh me 200 ulëse etj. Çmimet në këtë hotel sillen: për dhomë dyshe 50 euro, dopjo (VIP) 70 euro, apartament familjar (vilë) 100 euro etj.
Kurti u takua me Alam, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me ...
Kreu i IAEA viziton zonat bërthamore nëntokësore të Iranit
Shkodër: Sekuestrohen gati 700 mijë euro të fshehura në dyer...
Aksident në autostradën Veternik-Bresje, lëndohen katër pers...
Rashica shënon gol në miqësoren e Shqipërisë U21 ndaj Moldav...
Kurti takon Kammerin, shprehet gatishmëri për mbështetje të ...