Themelohet Oda e Afarizmit të Kosovës

12:56 | 27 Janar 2017
Arbresh.info

Bizneset në Kosovë do ta kenë një mbrojtje dhe përkrahje për një klimë më të përshtatshme të të bërit biznes. Kjo pasi në Prishtinë është themeluar Oda e Afarizmit të Kosovës, e cila nevoja që të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e afarizmit kosovarë, duke i adresuar të gjitha problemet ligjore dhe teknike në institucionet përkatëse, si dhe duke kontribuar me shembuj konkret për mënyrën e rritjes së ekonomisë së vendit.

Themelimi i kësaj ode erdhi me iniciativën e një grupi biznesmenësh dhe në përkrahje të shumë bizneseve të tjera, si dhe duke parë nevojën që të kontribuojnë në zhvillimin sa më të mirë të jetës ekonomike në Kosovë.

“Rrjedhat ekonomike në Kosovë dhe nevoja e jashtëzakonshme që të përimtohet klima e të bërit biznes në vend, si për bizneset vendore dhe ato që dëshirojnë të operojnë në Kosovë, nevoja që të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e afarizmit kosovarë, duke i adresuar të gjitha problemet ligjore dhe teknike në institucionet përkatëse, si dhe duke kontribuar me shembuj konkret për mënyrën e rritjes së ekonomisë së vendit, shihet nevoja me të cilën erdhi edhe krijimi i OAK-së, e cila të enjten ka mbajtur kuvendin e parë themelues”, thuhet në një komunikatë OAK.

Në kuvendin e parë të OAK-së, u theksua se ata kanë për qëllim përkrahjen, organizimin dhe zhvillimin e jetës ekonomike dhe zhvillimore të gjithanshme në Kosovë, duke i përkrahur bizneset në përmirësimin dhe ngritjen e klimës së biznesit në vend.

“Duke marrë parasysh gjendjen aktuale, ku bizneset vendore janë duke u përballur me probleme të shumta çdo ditë, OAK u themelua me qëllim që të japë kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit, të përmirësojë ambientin e të bërët biznes në Kosovë, të mbështes dhe promovojë bizneset aktuale vendore dhe ndërkombëtare dhe ndihmojë bizneset e reja, si dhe të mbrojë këto biznese me të gjitha format e mundshme. OAK do të kontribuojë me përvojën shumëvjeçare të biznesmenëve që i ka brenda saj dhe të tjerëve që do t’i bashkëngjiten, në mënyrë që të krijojë politika ekonomike dhe klimë shumë më të favorshme të biznesit në Kosovë, duke zhvilluar aktivitete në interesat e biznesit. OAK ka mision dhe vizion të qartë, dhe qëllim kryesor ka krijimin e një partneritetit real me Qeverinë, si dhe partneritetin me asociacionet brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në komunikatë. Pas një propozimi nga bizneset, OAK zgjodhi edhe organet udhëheqëse të saja, përfshirë kryetarin, nënkryetarin dhe bordin.

Kryetar i OAK-së është zgjedhur, Skender Krasniqi nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress, nënkryetar është zgjedhur, Arsim Selmonmusaj nga ELKOS, si dhe anëtar bordi janë zgjedhur Lulzim Begaj nga KOSMONTEFOODS, Hasan Gigollaj nga OFFiCE KOSOVA, Diamant Elshani nga ELMONT, Hysni Zogaj, nga MINIERA E GOLESHIT dhe Hamdi Malushaj nga EVROTARGET.

Sipas OAK, Kuvendi përgëzoi udhëheqjen e re dhe autorizojë për fillimin e punës së OAK, përfshirë hapësirën e punës dhe hapjen e konkursit për drejtor ekzekutiv dhe stafin për punë në OAK.

Udhëheqja e OAK paralajmëroi se në ditët në vijim, pas krijimit të ambientit të punës do të iu njoftojë përmes konferencave të saja për media.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme