Google ADS

Themelimi i komunave të reja, ul buxhetin e komunave të ‘vjetra’

11:27 | 4 Mars 2017
Arbresh.info

Themelimi i komunave të reja, ishte përmendur në kohë fushatash elektorale. Partia Demokratike e Kosovës, por pa lënë anash edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në agjendën e tyre zgjedhore kishin përmendur themelimin e tyre.


Këtë e kishin kundërshtuar shumë njohës të ekonomisë dhe pushtetit lokal, pasi sipas tyre krijimi i komunave të reja do të ndikonte në uljen e buxhetit të përgjithshëm te të gjitha komunave të Kosovës, por më së shumti të atyre komunave nga territori i së cilave pritet krijimi i komunës së re.

Që nga ajo kohë, janë rritur kërkesat për themelimin e këtyre komunave.

Në Ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kanë arritur gjithsej 19 kërkesa për krijimin e komunave të reja.
Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se rreth kësaj çështje janë bërë edhe disa debate në disa prej komunave.

Lumnije Demi, nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, për Arbresh.info ka thënë se nga 19 kërkesa për themelim të komunave të reja, deri tash janë mbajtur 5 debate në lokalitet të cilat kanë kërkuar themelimin e Komunës.
Sipas saj, këto debate janë zhvilluar në lokalitetet Zym – Komuna e Prizrenit, Rogovë – Komuna e Gjakovës, Hogosht – Komuna e Kamenicës, Reçan – Komuna e Prizrenit dhe Zheger- komuna e Gjilanit.

“Themelimi i komunave të reja pritet të bëhet me plotësim – ndryshimin e Ligjit Nr. 03/l-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave. Plotësim – ndryshimi i ligjit, do të përcaktoj kriteret e qarta për themelimin e komunave të reja. MAPL, është në proces të hartimit të Koncept – Dokumentit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/l-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave”, është shprehur Demi.

Ndërsa drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, thotë se një proces i themelimit të komunave pa analizë dhe kritere është një eksperiment që rrezikon qëndrueshmërinë e sistemit të qeverisjes lokale.

“Themelimi i një apo disa komunave të reja është proces i cili duhet bazuar në kritere të qarta dhe të definuar paraprakisht, në të kundërtën do të rrezikohet edhe më tutje ky sistem edhe ashtu fragjil”, është shprehur Tahiri për Arbresh.info.

Sipas tij ky proces nuk do të duhej të jetë një proces i izoluar dhe arbitrar sipas parapëlqimeve të askujt, e as të qeverisë.

“Rregullimi i themelimit të komunave të reja apo vetë procesi i themelimit duhet të bazohet mbi parimet e respektimit të demokracisë lokale, të respektimit të autoriteteve lokale, të konsultimit të palëve të interesuara dhe prekura nga ky proces, përfshirë këtu aspekte që lidhen me të mirën e përgjithshme publike”, ka thënë ai.

Në këtë fazë, shprehet ai, pa pasur analizë dhe kritere të qarta, ky proces do të hapte shtigje që presioni politik dhe agjendat zgjedhore të prodhonin komuna të pa qëndrueshme dhe jo-funksionale.

Zyrtarë të Institutit GAP përmes një analize mbi themelimin e komunave të reja në Kosovë, kanë konstatuar se krijimi i komunave të reja do të ndikojë në uljen e buxhetit të përgjithshëm të të gjitha komunave të Kosovës, por më së shumti të atyre komunave nga territori i së cilave pritet krijimi i komunës së re.

“Krijimi i komunave të reja do të rrisë dukshëm numrin e të punësuarve në shërbimin civil, duke ndikuar në rritjen e shpenzimeve për paga, në dëm të shpenzimeve kapitale dhe subvencioneve, pasi se çdo komunë e re duhet të ketë minimum 55 pozita të reja të shërbimit civil”, thonë nga ky institut.

Sipas tyre në shumicën e lokaliteteve që kërkojnë të bëhen komuna më vete ekziston numër i vogël i shtëpive dhe bizneseve, çfarë do të ndikonte në të hyra të ulëta vetanake të komunës.

“Si rrjedhojë, komunat e reja do të vareshin ngrmenda grantet e qeverisë. Po ashtu, asnjë komunë e re nuk mund të funksionalizohet për një periudhë të shkurtër kohore, ngase mungon infrastruktura bazë administrative, arsimore, shëndetësore dhe resurset njerëzore. Andaj, Qeveria e Kosovës nuk duhet të vazhdojë me formimin e komunave të reja”, thuhet në analizën e këtij instrituti./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme