Thellohet deficiti tregtar, eksporti shënon rënie

14:20 | 27 Maj 2016
Arbresh.info

Agjencia e Statistikave te Kosovë (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit të mallrave për muajin prill 2016, ku ka prezantuar të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, të cilat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë prej 227,6 milionë eurosh, ose për 16.1% në muajin prill 2016, krahasuar me deficitin prej 196,1 milionë Euro e periudhës së njëjtë të vitit 2015. Eksporti mbulon importin me 9.2%.

Sipas komunikatës dërguar nga ASK, eksporti i mallrave në muajin prill 2016 kishte vlerën 23,0 milionë Euro, ndërsa importi 250,7 milionë Euro, ku është një rënie prej (-16.9%) për eksport dhe një rritje prej 12.0% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.3% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.5% e përbëjnë produktet minerale; 13.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 10.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.2% e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 3.5% e përbëjnë produktet bimore; 2.9%) e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.6% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.3% e përbëjnë metal et bazë dhe artikujt prej tyre; 11.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0% e përbëjnë produktet minerale; 9.5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 5.5% e përbëjnë produktet bimore, etj”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,0 milionë Euro, ose rreth 26.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-31.4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermani (5.5%), Holanda (4.2%), Bullgari (3.9%) dhe Austria (2.8%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 104.9 milionë Euro, ose 41.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 8.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.2%), Italia (7.4%), Greqia (3.6%), etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2016 a rritën në 9,7 milionë Euro, ose 42.4% të eksporteve të përgjithshme, ku kishte rënie prej (-6.9%). Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (15.6%), Maqedonia (12.1%), Serbia (8.9%) dhe Mali i zi (4.2%).

Ndërsa, sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2016, arritën në 69,4 milionë Euro, ose 27.7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.9%). Ndërsa, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.6%), Maqedonia (5.7%), Shqipëria (5.2%) dhe B&H (3.7%).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7,2 milionë Euro, ose 31.4%. ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë: Zvicra (5.5%) dhe Turqia (2.8%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 76,3 milionë Euro, ose 30.5%. Vendet me pjesëmarëje më të lartë për import në këtë grup janë: Turqia (11.1%) dhe Kina (6.7%)? ??, thuhet në fund.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme