Përkrahja e Bankës Botërore (BB) për Termocentralin “Kosova e Re” është kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe financiare të Grupit të Bankës Botërore.
Banka Botërore nuk e ka ndryshuar qëndrimin karshi projektit të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e një termocentrali në afërsi të Obiliqit.
Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Europë dhe Azi Qendrore në një letër të dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i ka numëruar kushtet që Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë para se bordi i këtij institucioni financiar të marrë vendim nëse do ta përkrahë këtë projekt për prodhimin e energjisë nga djegia e qymyrit. Letra ishte dërguar te qeveria si përgjigje ndaj kërkesës së Stavilecit për përkrahjen e Bankës Botërore për projektin e ndërtimit të një termocentrali prej 450 megavatësh.
Përkrahja eventuale e bankës do të ishte një garanci për huadhënësit komercialë për projektin e propozuar energjetik të Kosovës si dhe përkrahjen nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencia Multilaterale për Garancione të Investimeve (MIGA). Këto garancione do të jenë të nevojshme për financimin e ndërtimit të termocentralit, i cili pritet të kushtojë rreth 1 miliardë euro.
Kompania “Contour Global” pritet të financojë 30 për qind të kësaj kostoje, ndërsa pjesa tjetër prej 70 për qind do të financohet nga kreditë.
Lista e kushteve që ka vendosur Banka Botërore është e gjatë dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2012. Në vitin 2012, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europë dhe Azi ia kishte dërguar një letër Qeverisë së Kosovës duke konfirmuar se “Banka Botërore do të ishte e gatshme në parim të shqyrtojë dhënien e një garancioni për huadhënësit komercialë për projektin e propozuar energjetik të Kosovës”.
I njëjti qëndrim është ripërsëritur edhe njëherë në letrën e muajit tetor të vitit 2016.
“Dua t’u siguroj se kjo përkrahje në parim mbetet, sikurse edhe kërkesat dhe politikat tona që do të aplikohen, përderisa lëvizim përpara në përgatitjen e garancionit nga IDA dhe detajimin e përkrahjes nga IFC dhe MIGA”, thuhet në këtë shkresë.
Por, në këtë letër janë listuar punët dhe kushtet që duhet t’i plotësojë Qeveria e Kosovës për të marrë përkrahjen e Bankës Botërore.
“Kjo përkrahje në parim ishte e kushtëzuar me vlerësimin e kënaqshëm të projektit nga Grupi i Bankës Botërore, pajtimin me të gjitha kërkesat e aplikueshme, duke përfshirë këtu ato që kanë të bëjnë me çështjet sociale dhe mjedisore, si dhe aprovimin nga drejtorët ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore”, thuhet në letrën e Mullerit, zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europë dhe Azi Qendrore.
E njëjta është rikonfirmuar edhe nga menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli.
“Banka Botërore do të marrë vendim se a do të përkrahë projektin e ri energjetik të Kosovës vetëm atëherë kur të gjitha analizat relevante mjedisore, sociale dhe teknike të jenë zhvilluar, kur konsultimet me publikun të jenë mbajtur dhe kur Bordi i Bankës dhe aksionarët e saj ta kenë shqyrtuar projektin”, tha Mantovanelli.
Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se letra e dërguar në tetor është rikonfirmim i pozicionit të ditur tashmë të Bankës Botërore.
“Kjo përkrahje në parim është e kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha kërkesave të aplikueshme, përfshirë këtu ato të lidhura me çështjet sociale dhe mjedisore, si dhe aprovimin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Botërore”, tha ai, shkruan Kallxo.com.
Banka Botërore ia ka kujtuar qeverisë së duhet të rifreskohet studimi i opsioneve dhe të ketë një riangazhim të panelit të ekspertëve të jashtëm.
“Një hap i parë i rëndësishëm në përmbushjen e kritereve strikte të Grupit të Bankës Botërore për përkrahjen e gjenerimit të ri të energjisë nga djegia e thëngjillit, siç definohet në Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike (SFDCC), do të jetë rifreskimi i studimit të opsioneve dhe ri-angazhimi i Panelit të Ekspertëve të Jashtëm për të vlerësuar pajtueshmërinë e projektit me SFDCC”, thuhet në shkresën e Mullerit.
Ai ka thënë se aktualisht janë në proces të një kujdesi të duhur (due-diligence) për projektin e termocentralit.
Në shkresën e Bankës Botërore thuhet se do të rishikohet vlerësimi mjedisor dhe social i projektit. Por, në fakt një studim i tillë asnjëherë nuk është publikuar nga institucionet e Kosovës.
“Ne po ashtu do të duhet të rishikojmë një vlerësim të rifreskuar të Impaktit Mjedisor dhe Social (ESIA) për konfigurimin e ri të propozuar të projektit, ta publikojmë draftin e tij dhe të zhvillojmë konsulta publike para vlerësimit nga ana e bankës. Sigurimi i shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës është prioritet ynë i përbashkët”, thuhet në shkresën e Bankës Botërore.
Përveç kësaj, Banka Botërore ia ka kujtuar Qeverisë së Kosovës që edhe zhvillimi i minierës së re të qymyrit prej nga do të furnizohet me qymyr termocentrali i ri duhet t’i përmbushë të gjitha politikat mjedisore dhe sociale të bankës. Këto politika njihen si standard botëror për mbrojtjen e njerëzve të ndikuar nga projektet.
Pas heqjes së minierës së qymyrit nga pakoja e projektit, barra për zhvillimin e minierës dhe zhvendosjen eventuale të qytetarëve që preken nga zgjerimi i mihjes i bie Qeverisë së Kosovës.
“Duam të përsërisim se Grupi i Bankës Botërore i jep prioritetin më të lartë përkujdesit që zhvendosja e asocuar me KRPP-në të menaxhohet sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në shkresën e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europë dhe Azi.
Banka Botërore ka edhe një tjetër kusht të veçantë për përkrahjen e projekteve që për bazë kanë djegien e qymyrit.
Cilat kompani gjermane do të largojnë mijëra punëtorë?
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...