Më shumë se gjysma e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.
Sipas statistikave zyrtare, deri në muajin korrik, vlera e përgjithshme importit ka arritur 1.4 miliard euro, kurse shuma e eksporteve për gjatë kësaj periudhe është 198 milionë euro.
Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të statistikave ekonomike në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë vitit të kaluar importi ka arritur vlerën më të lartë.
“Eksporti në vitin 2014 ka arritur në 324 milionë euro, kurse importi ka arritur në shifrat më të larta, në mbi 2.5 miliardë euro. Ajo që është karakteristike në vitin e kaluar, shihet se edhe eksporti edhe importi ka pasur një rritje, krahasuar më vitin paraprak”, thotë Berisha.
Serbia vazhdon të ketë përqindjen më të madhe të produkteve në tregun e Kosovës. Vetëm vitin e kaluar shuma e mallrave të importuara nga ky shtet ka arritur në 368 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 272 milionë euro.
Për ekspertët për çështje ekonomike, ky fenomen është shqetësues, pasi autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma dhe të ndihmojnë sektorin e prodhimit në mënyrë që të zvogëlohet niveli i importit.
Muhamet Ymeri, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, konsideron se Kosova eksporton produkte në vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës deri në 13 për qind, kurse pjesa tjetër importohet.
Ymeri, i cili njëherësh është edhe nënkryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, deklaron se zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese është domosdo për rritjen e nivelit të eksportit, por që kjo fushë nuk është përkrahur nga autoritetet vendore.
“Prodhimi ka mbetur në pikën zero, nuk mund të themi se nuk ka pasur rritje, por në mënyrë të mjaftueshme apo një qasje më serioze ka munguar nga autoritetet kompetente. Mundësitë për zhvillim, jo se nuk kanë qenë të favorizuara, por kanë ngecur. Megjithatë, ndryshimet e fundit ndoshta premtojnë më tepër. Por, në realitet nuk shihet asgjë konkrete”, thekson Ymeri.
Problem tjetër në këtë kuadër, sipas përfaqësuesve të organizatës joqeveritare “Konsumatori”, është se vetë shoqëria është bërë e varur nga produktet e huaja, e sidomos nga produktet e Serbisë. Selatin Kaçaniku, udhëheqës i kësaj organizate, thekson se kjo varshmëri në një mënyrë po imponohet nga kompanitë importuese për interesa të tyre materiale.
“Ne dyshojmë se disa prej tyre janë krijuar nga ortakëria ose (nga të qënët) aksionarë me individë të ndryshëm nga Serbia. Konsumatorit në këtë mënyrë po i imponohet varshmëria nga produktet e huaja, sidomos të Serbisë”, thekson Kaçaniku.
Sidoqoftë, në kuadër të importeve, me rritje janë karakterizuar kategoria e produkteve ushqimore, importet e metaleve bazë, importet e plastikës dhe gomës dhe importet e mjeteve të transportit.
Llapi befason Dritën në Gjilan, merr avantazhin në pjesën e ...
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...