Të rishikohen privatizimet e ish-komandantëve

09:05 | 15 Mars 2016
Arbresh.info

Rishikimi i privatizimit që nga paslufta e këndej, do të nxirrte parregullsitë dhe dallaveret që janë bërë në këtë proces nga njerëzit e politikës dhe komandantët e luftës. Kështu thonë analistët, sipas të cilëve, ndikimi i njerëzve të fortë të luftës ka bërë që shumë prej tyre të privatizojnë mijëra hektarë tokë bujqësore, fabrika e prona tjera shoqërore

Shumë prona shoqërore pas luftës u privatizuan nga familjarë të ish-komandantëve të UÇK-së e njerëz të politikës. Por, forma e privatizimit duket se nuk është bërë fort në rregull, duke qenë se politika nuk pranon që të verifikohet nga fillimi procesi i privatizimit. Analistët thonë se rishikimi i privatizimit që nga paslufta e këndej, do të nxirrte parregullsitë që janë bërë në këtë proces nga njerëzit e politikës dhe ish-komandantët e luftës. Të hënën gazeta “Zëri” ka publikuar një listë me emrat e familjarëve të ish-komandantëve të luftës së UÇK-së, dhe njerëzve të fuqishëm në politikë që kanë privatizuar nga paslufta e këndej. Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se nëse hetohet procesi i blerjes së pronave nga ana e njerëzve të luftës, varësisht nëse ata i kanë blerë duke i respektuar procedurat, do të dilnin keqpërdorime të mëdha.

“Ky nuk është një fenomen i panjohur për rajonin. Gjithandej në vendet ku ka pasur luftë është aplikuar një praktikë e tillë. Njerëz të luftës, ose të tjerë të afërt me ta, duke shfrytëzuar edhe fuqinë e luftës, janë bërë pronarë të pronave dhe aseteve publike, shpesh duke përdorur edhe metoda jolegale. Kështu është rasti edhe në Kosovë. Pavarësisht se ata mund t’i kenë blerë këto prona dhe asete publike në mënyrë të ligjshme dhe duke respektuar formalisht procedurat, po që se hetohet si duhet procesi i privatizimit mund të dalin në sipërfaqe dallavere të mëdha. Për këtë shkak politika nuk është treguar e gatshme t’i kthehet shqyrtimit të këtij procesi nga e para”, ka thënë Mushkolaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme