Stock: MSA rrit konkurrencën dhe ulë çmimet e produkteve

11:48 | 5 Shkurt 2016
Arbresh.info

Kosova është duke e përmirësuar klimën ekonomike por duhet të orientohet nga eksporti, pasi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit rrit produktivitetin dhe ua hap rrugën kompanive kosovare drejt tregut të BE-së.

Kështu u tha në konferencën me temën “Marrëveshja e Stabilizim Asocimit-efektet dhe sa jemi të përgatitur”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermani Kosovare në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në këtë konferencë tha se e rëndësishmja e MSA-së, është që Kosova mund të përfitoi nga BE. Sipas saj, përparësitë e MSA-së do të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe se kjo hapë rrugën për kompanitë kosovare drejt tregut të BE-së.

Ajo gjithashtu tha se Kosova lidh raport me vende të ndryshme të BE-së për reformat në të gjitha fushat.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermane u tha se MSA është më se e rëndësishme për ekonominë e Kosovës.

Shefi i Operimeve i zyrës së BE-së, Christof Stock tha se efekti i MSA- së ka të bëjë me përmirësimin e raporteve institucionale duke përfshirë të gjitha fushat, si dhe për të ofruar dialog politik.

Ai tha se MSA fokusohet në ekonomi dhe në tregti, dhe se njëra nga pikat kyçe sipas tij është tregtia asimetrike.

Stok shtoi se Kosova gradualisht është duke harmonizuar standardet e BE-së, dhe kjo do të ndikojë edhe në konkurrueshmërinë, duke rritur konkurrencën e akterëve ekonomik dhe duke ulur çmimet e produkteve.

Ai tha se Kosova është duke e përmirësuar klimën ekonomike por duhet të orientohet nga eksporti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme