Stacioni i Autobusëve punëson katër punëtorë pa konkurs, arsyetohet se i sollën dobi ndërmarrjes

09:00 | 14 Gusht 2020
Arbresh.info

Stacioni i Autobusëve në Prishtinë ka punësuar katër persona pa konkurs.

Një konsulent ligjor, një zyrtar konsulent për financa, një zyrtar për mbarëvajtjen e procesit të programit të punës, dhe një zyrtar për financa, kontabilitet dhe këshillime tatimore janë punësuar gjatë vitit që lamë pas në Stacionin e Autobusëve , ani pse kjo ndërmarrje nuk ka shpallur konkurs publik, shkruan arbresh.info.

Të njëjtit janë angazhuar me kontrata mbi vepër për punë dhe detyra specifike dhe me kohëzgjatje të caktuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur kështu në Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019.

Aty thuhet gjithashtu se sipas Ligjit të Punës 03/L-212 nenit 8, punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.

“Gjetja Stacioni i Autobusëve gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 4 (katër) punëtorë me kontrata mbi vepër për punë dhe detyra specifike dhe me kohëzgjatje të caktuar në pozitat: 1 (një) zyrtar konsulent ligjor, 1 (një) zyrtar konsulent për financa, 1 (një) zyrtarë për mbarëvajtjen e procesit të programit të punës si dhe 1 (një) zyrtarë për financa, kontabilitet dhe këshillime tatimore. Për të gjitha këto angazhime, Stacioni i Autobusëve nuk ka shpallur konkurs publik”, thuhet në gjetje.

Në të njëjtën gjetje thuhet se menaxhmenti ka favorizuar kandidatët të cilët janë shpërblyer me këto kontrata.

“Kjo ka ndodhur për shkak që menaxhmenti kishte shmangur kërkesat ligjore duke favorizuar kandidatët të cilët janë shpërblyer me këto kontrata”, thuhet më tej.

Sipas ZKA-së angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike pa zhvilluar ndonjë proces konkurrues dhe transparent ndikon në angazhimin e personave jo kompetent në pozita të caktuar.

Ndërsa. i është rekomanduar bordit të drejtorëve të siguroj që me rastin e angazhimit të punonjësve të ri të zhvillohen procedura me konkurrencë të hapur dhe të respektohen të gjitha kërkesat për transparencë dhe përzgjedhje adekuate të kandidatëve.

E, menaxhmeti i ndërmarrjes nuk është pajtuar me këtë gjetje.

Në përgjigjen e tyre thuhet se këto kontrata më shumë i kanë sjellë dobi sesa dëme kontratës.

“Angazhimet e bëra, duhet te shikohen dhe nga çështja e dobisë se ndërmarrjes. Menaxhmenti mendon me bindje te plote që këto kontrate me shumë i kane sjelle dobi ndërmarrjes, sesa ndonjë dem, kjo duke pasur parasysh dhe shumen e kompensimit”, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu aty këmbëngulet që sipas Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve nuk parashihen procedura te rekrutimit.

“Vlen te theksohet fakti qe menjëherë pas angazhimit te konsulentit ligjor, ai ka marre pjesë në seanca gjyqësore dhe ka pranuar aktgjykime te ndryshme nga gjykatat, si dhe me anë të këshillave ligjore, ndërmarrja ka ndërmarre një sere veprimesh ne organizim te punës brenda saje , ku po qe se do te behej angazhimi i konsulentit ligjor ne baze te Ligjit te Punës dhe te zhvilloheshin procedura siç parashihet me Udhëzim Administrativ 07/2017, ndërmarrja kishte humbur afatet ligjore për veprim dhe demi material ndaj ndërmarrjes do te ishte me mijëra euro. Pra demi do te ishte me i larte se sa dobia po qe se do te aplikohej Ligji i Punës dhe do te zhvilloheshin procedurat sipas këtij ligji, ne rastet konkrete. Gjithashtu, duhet te përmendet, as ne aktet e brendshme te ndërmarrjes nuk parashihet ndonjë procedure përkatëse për një gjë të tillë. Përfundimisht ritheksojmë me bindje të plotë që në bazë të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, me të cilin kemi angazhuar konsulentë të jashtëm, nuk parashihen procedura te rekrutimit”, thuhet më tej në përgjigje.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019, për Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka gjetur edhe raste të lëshimit të faturave nga ndërmarrja në emër të operatorëve transportues, dobësi në faturim për lokalet në shfrytëzim të përkohshëm dhe aprovime të pagesave pa autorizime adekuate./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme