Google ADS

“Siguria”, këmbëngulëse për zbritjen e tarifave kufitare (Video)

09:10 | 15 Qershor 2015
Arbresh.info

Bashkatdhetarët tanë vazhdojnë të paguajnë polica të sigurimeve kufitare nga 40 deri në 500 euro varësisht nga lloji i sigurimit që paguajnë sapo shkelin tokën e Kosovës.

Ata shprehen të indinjuar se përkundër premtimeve të deritanishme, nuk ka ndryshime në këtë drejtim.

“Për dy muaj pagova 69 euro sigurim. Me thanë që duhet me pagu për kalim nëpër autostradë kish me qenë krejt në rregull sepse ajo paguhet çdo kund mirëpo me pagu për siguri kjo nuk është në rregull pasi ne paguajmë edhe në vendin tonë dhe ajo duhet të vlejë edhe këtu”, është shprehur një bashkatdhetarë deri sa po hynte me automjetin e tij në Kosovë, raporton RTK.

Kosova vazhdon të mos jetë pjesë e sistemit të kartonit të gjelbër. Kështu që të gjitha automjetet të cilat hyjnë apo e lirojnë Kosovën janë të obliguara që të paguajnë sigurim kufitar.

Pengesat për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e kartonit të gjelbër janë për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Për Naser Osmanin, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, pengesa po shkaktojnë edhe vet kompanitë e sigurimeve të cilat nuk po e pranojnë kërkesën për uljen e këtyre tarifave

“Është për keqardhje që në asamblenë e fundit të Kartonit të Gjelbër të Kosovës nuk është marrë në konsideratë rekomandimi i Guvernatorit i cili ka rrjedhur si një rekomandim nga kërkesat e Kuvendit dhe Qeverisë që të merret parasysh që të paktën atyre njerëzve që vijnë në këtë kohë në pushime me familje, atyre njerëzve që japin një remitencë vjetore rreth 700 milionë, të paktën të mos paguajnë kur të vijnë në shtëpinë e tyre”, ka thënë Osmani.

Ai ka shtuar se nëse kompanitë të cilat po e kundërshtojnë kërkesën për uljen e policave të sigurimit kufitar nuk lëshojnë pe në këtë drejtim, atëherë do të merren masa që të bëhet ndryshimi i Ligjit përkatës.

“Nuk ka pasur mirëkuptim nga këta, edhe përkundër se në mbledhjen për Buxhet dhe Financa kemi ardhur në përfundime që deri në shtator, Asambleja e Përgjithshme e Kartonit të Gjelbër të Kosovës të aprovojë rekomandimin për zbritjen e 50 përqindëshit si masë e përkohshme. Përndryshe, nëse kjo nuk ndodh ne do të marrim masa që të bëjmë ndryshimin e ligjit për arsye se kur është aprovuar ligji është përshtatur rrethanave që për disa muaj ne do të bëhemi anëtare të Kartonit mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe tash ligji duhet të bëhet për rrethanat tona”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë së vetme të sigurimeve e cila është për zbritjen e tarifave për 50 për qind “Siguria”, shprehet i bindur se që nga 1 korriku do të bëhet ulja e kësaj tarife.

“Kjo do të hyjë në fuqi. Banka Qendrore do ta licencojë këtë tarifë të sigurimeve, nuk ka askush që mund ta ndalë këtë, këta vetëm një problem do të ma bëjnë që unë do të hiqem nga “pulli” dhe do të fillojë si kompani e vetme. Këta nuk kanë më mundësi që ta bllokojnë këtë iniciativë, po me vjen shumë keq që jam i vetëm. Nëse ata nuk pajtohen, unë do të dal prej pullit. Unë kam kërkuar si kompani që të më licencohet ai produkt dhe unë baj përgjegjësi, kam edhe përkrahjen e z. Behxhet Pacolli që është pronari, kam përkrahjen e tij që Siguria t’i trajtojë dëmet”, ka thënë Pacolli

Besnik Kada zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës ka thënë se BQK-ja ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, rishikimin e tarifave kufitare.

“Pas rishikimit nga ana e Byros, kërkesa duhet të vjen në BQK e cila do të shqyrtohet dhe sipas kornizës ligjore në fuqi BQK-ja ka të drejtë të aprovimit apo refuzimit të saj. Deri më sot nuk ka ardhur në BQK një kërkesë e tillë për rishikimin dhe aprovimin e tarifave”, është shprehur Kada.

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme