Unioni i Biznesmenëve Shqiptarë në Gjermani në takimin e mbajtur në qytetin e Böblingen të Republikës së Baden-Württemberg ka shqyrtuar aktivitetet e deritashme të Unionit, si dhe mundësitë që afaristët shqiptarë nga ky vend të investojnë në Kosovë, por pa e përjashtuar mundësinë e investimeve edhe në Gjermani.
Sipas komunikatës nga mbledhja e Unionit, kryetari Ejup Berisha, duke theksuar objektivin për të bërë bashkë të gjithë afaristët shqiptarë në mbarë Gjermaninë, ka informuar për marrëveshjen e arritur me Odën Ekonomike Gjermane në Kosovë dhe për marrëveshjet dhe bashkëpunimet e tjera me institucionet kosovare.
Berisha ka treguar se Unioni ka bërë ndarjen e 34 bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës, ndërsa suksesi më i madh dhe më profitabil ka qenë marrëveshja me ProCreditBank, me të cilën u mundësohet afaristëve të marrin kredi në Kosovë me interesa bankare siç janë në Gjermani.
Drejtori Financiar i Unionit, Vllaznim Kelmendi ka njoftuar se në vijim e sipër janë përgatitjet për mbajtjen e një kongresi të madh, që do të mbahet më 25 prill. Në kongres, sipas Kelmendit, do të marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë Isa Mustafa dhe Edi Rama, ministrat e Zhvillimit Ekonomik të dy vendeve, Blerand Stavileci dhe Arben Malaj, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, kryetari I qytetit të Këlnit, si dhe një numer i madh i afaristëve të cilët kanë treguar suksese të mëdha në fushën e biznesit në Gjermani.
Sipas koordinatorit të Unionit në Baden-Württemberg, Zenun Krasniqi, nuk është e rëndësishme vetëm të investohet në Kosovë, por edhe të vendoset bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet e Kosovës, me qëllim të arritjes së lehtësimeve në investime.
Nënkryetari i Unionit Gani Nuha ka njoftuar se ka bërë investime me shumë prej 25 mijë euro në Kosovë, konkretisht në Shalë të Bajgorës në bashkëpunim me afaristë të tjerë.
Në takim kanë qenë të pranishëm një numër i madh i afaristëve të suksesshëm shqiptarë në Gjermani, ndërsa Kryesisë i janë bashkuar edhe 20 afaristë, të cilët udhëheqin firma Gjermane.
Unioni i Biznesmenëve Shqiptare në Gjermani u themelua para një viti e gjysmë në Köln dhe që nga themelimi është duke punuar intensivisht dhe ka arritur shtrirjen e tij në tërë Gjermaninë, duke bashkuar afaristë të shumtë shqiptarë./Arbresh.info/
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...