Google ADS

Shqipëria do rritet me 7.2%/ Banka Botërore parashikon rritje të shpejtë ekonomike pas krizës së pandemisë

00:21 | 22 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet më shpejt nga ç’pritej. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore parashikon që ekonomia e vendit do të zgjerohet me 7.2% këtë vit.

Kjo rritje sipas institucionit financiar ndërkombëtar do të mbështetet nga turizmi, ndërtimi dhe konsumi.

Edhe pse i cilëson si shtyllat kryesore të zgjerimit të ekonomisë, banka botërore bën apel për nxitje të të gjithë sektorëve për rritje të qëndrueshme, pasi degë si ndërtimi shton ajo nuk sjellin përfitime afatgjata.

“Me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik”, tha Emanuel Salinas, menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Por, me gjithë ritmet e shpejta të rritjes ekonomike, parashikimi më i lartë për rajonin, sërish pasiguritë janë të larta thekson banka botërore në raportin e saj, për shkak të shifrave në rritje të të prekurve me Covid 19.

Vendi shton ajo nuk ka amortizues të mjaftueshëm për të përballuar një valë të re pandemike ndaj qeveria duhet të bëjë kujdes në menaxhimin e financave, pasi qeverisë në skenarin më pesimist mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet për investime publike për të parandaluar një rritje të mëtejshme të borxhit publik.

Nga ana tjetër, punësimi nuk është rikuperuar plotësisht thekson banka botërore ndaj bën apel për vëmendje të shtuar për tregun e punës duke vënë theksin te politika që nxisin hapjen e vendeve të reja të punës, pas goditjes së fortë që mori si pasojë e krizës ku u rrit ndjeshëm papunësia, sidomos mes të rinjve.

Ndërsa shkalla e varfërisë në rajon pritet të ndjekë një trend në rënie këtë vit me gati 1%, për t’iu afruar nivelit të vitit 2019 në 20.3%.

Fokusi i qeverisë ndër te tjera thuhet në raport duhet të orientohet tek edukimi, inovacioni dhe ekonomia e gjelbër për një zhvillimi më të qëndrueshëm të ekonomisë në vijim./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme