Shqipëri-Kosovë, organizohet panairi i përbashkët bujqësor në Prishtinë

13:55 | 8 Shtator 2015
Arbresh.info

Marrëveshja e nënshkruar pak kohë më parë në Prishtinë, ndërmjet Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Odës Ekonomike të Kosovës, i ka hapur rrugë zhvillimit për herë të parë në Prishtinë, të panairit të prodhimeve bujqësore shqiptare, Shqipëri- Kosovë, si eventi që do të bashkojë dy vendet e një kombi në një treg të përbashkët.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe kompaninë Albexpo, do të organizojnë në Qendrën e Panaireve, Prishtinë, nga 30 shtator – 3 tetor 2015, edicionin e 9 të “Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale”, që ndryshe do të quhet “Panairi i prodhimeve bujqësore shqiptare”.

Ky aktivitet i kthyer tashmë në një traditë për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit kosovarë, do të marrë një vlerë të shtuar dhe rëndësi të veçantë në edicionin e këtij viti. Për herë të parë panairit bujqësor të Kosovës do t’i bashkohet në mënyrë të organizuar edhe agrobiznesi shqiptar, duke e zhvendosur në Prishtinë, Panairin e Agrobiznesit Shqiptar, i parashikur të zhvillohej në 30 shtator në Tiranë.

Biznesmenë të afirmuar nga Shqipëria, që kanë konsoliduar tashmë veprimtarinë e tyre në sektorin e agropëpunimit, do të marrin pjesë në Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale, në Prishtinë, duke iu bashkuar vëllezërve kosovarë, në promovimin e vlerave dhe risive që ka kurorëzuar ky sektor gjatë një viti.

Biznesmenë shqiptarë dhe kosovarë do të jetë të pranishëm në këtë Ekspo, të dizenjuar nga stafi i specializuar i kompanisë “Albexpo” për të diskutuar nga afër mënyrat e reja të prodhimit, perpunimit dhe financimit të projekteve strategjike në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit.

Kosova dhe Shqipëria kanë resurse në fushën e bujqësisë të paeksploruara ende dhe është në mision të organizatave të biznesit të dy vendeve, për t’i bërë ato atraktive për një treg të qëndrueshëm shqiptar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme