Për vite me radhë ishte vlerësuar se buxhetit të Kosovës nuk i ishte dhënë orientim i duhur nga autoritetet e vendit.
Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar siç thonë ekspertët, në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit.
Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.
Tani në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, përfaqësues të bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve.
Janë mbi 2 miliardë euro para që janë parashikuar t’i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat.
“Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Në këtë drejtim duhet të evitojnë investimet në infrastrukturë, duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar”,thotë Gërxhaliu.
Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, do t’i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë.
Investimet në sistemin arsimor nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksohet si një nga orientimet më të domosdoshme që duhet t’i bëhet buxhetit.
“Ajo që është e rëndësishme, që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, kjo kërkesë është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës. Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por në edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë”, thotë Zeka.
Megjithatë, Zeka shton se gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohen projekte e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që, siç thotë ai, “infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.
Në buxhetin e këtij viti, top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve.
Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016.
Derisa, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ende është në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, pastaj pritet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Por, nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës deri më tani është theksuar se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 vendin kryesor do ta zënë shpenzimet kapitale, si dhe do të reflektohen edhe prioritetet e Qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit.
Kurti e Vitia nesër marrin pjesë në ceremoninë e vënies së g...
Gjesti ia mori dhe ia veshi duksin dhuratë të Xhenetës – ja ...
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë KRU “Hidroregjioni Jugo...
Man City assesi të fitojë ndalet me barazim nga Evertoni
Ministri Peci nesër mban konferencën përmbyllëse për media
Tajvani përgatitet për mandatin e ri të Presidentit Trump në...