Shpend Ahmeti ia humb Prishtinës nga 4.5 milionë euro, pronat e komunës i lëshon pa qira

09:03 | 24 Qershor 2020
Arbresh.info

Komuna e Prishtinës çdo vit humb së paku 4.5 milionë euro.

Kjo vetëm pasi 37 parcela që janë në pronësi të komunës, me rreth 6 hektarë shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës, raporton Arbresh.info.

Këtë të gjetur e ka identifikuar  Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës në raportin për vitin 2019, shkruan arbresh.info. Aty thuhet se krahasuar me qiratë tjera, komuna humb së paku 6€/m2 apo 360,000€/muaj.

“Gjetja Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale 03-L040 neni 14, Statutit të komunës neni 33.2- a, dhe Ligjit 06/L-092 Për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës se paluajtshme të komunës vihet në pah mundësia/mënyra e dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale. Në vitin 2014 komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale. Sipas kalkulimit të thjeshtë krahasuar me qiratë tjera i bie që komuna humb së paku 6€/m2 apo 360,000€/muaj”, thuhet në raport.

E njëjta çështje ishte ngritur edhe vitin e kaluar, por komuna nuk ka dhënë shpjegim pse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës. Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Megjithatë, nga komuna nuk është ofruar ndonjë shpjegim konkret se pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ta adresuar këtë çështje”, thuhet më tej në raportin e Auditorit.

Kjo ka dëmtuar të hyrat e komunës dhe ka rritur rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona.

Për këtë çështje është rekomanduar që të bëhet rishikimi i shfrytëzimit të këtyre pronave.

“Kryetari, duhet të rishikoj shkakun e shfrytëzimit të pronave pa kompensime dhe të marrë veprime për të nënshkruar marrëveshje me bizneset/shfrytëzues të pronave për kompensimin e tyre, qoftë përmes qirasë ose formave tjera ligjore”, thuhet më rekomandim.

Kjo gjetje ishte identifikuar edhe më herët nga zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës. I njëjti rekomandim ishte dërguar për kryetarin e komunës por që ende nuk është ndërmarrje  asnjë veprim.

Në letrën e konfirmimit nga komuna e Prishtinës thuhet se kryetari, Shpend Ahmeti është pajtuar me të gjithë të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk ka ndonjë koment për përmbajtjen e raportit. /arbresh.info/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme