Shënohet 10 vjetori i Agjencisë Kosovare të Standardizimit

15:55 | 30 Prill 2015
Arbresh.info

Agjencia Kosovare e Standardizimit, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka kremtuar sot 10 vjetorin e themelimit të saj.

Ilir Salihu, këshilltar i Lartë i Ministres së MTI-së, tha me këtë rast se Ministria e Tregtisë ka një përgjegjësi të madhe për sa i përket infrastrukturës së cilësisë, duke iu referuar faktit se kjo Ministri në strukturën e saj ka disa Agjenci të cilat janë në shërbim të bizneseve dhe të ekonomisë së vendit dhe se qëllimi i MTI-së është që këto agjenci të strukturohen dhe profesionalizohen çdo ditë e më shumë.

“Sot ne po shënojmë një përvjetor të rëndësishëm të themelimit të Agjencisë Kosovare për Standardizim, si institucioni i vetëm përgjegjës për zhvillimin e standardeve për ekonominë e vendit”, tha këshilltari Ilir Salihu, duke shtuar se kjo Agjenci, është një ndër shtyllat themelore të infrastrukturës së cilësisë dhe se standardet janë bazament i akreditimit, metrologjisë, certifikimit dhe mbikëqyrjes së tregut.

Salihu me tej shtoi se në përpjekje për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian dhe për plotësim të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Standardizim dhe Asociim, që pritet të ratifikohet gjatë këtij viti, MTI po i jep prioritet të veçantë ngritjes së infrastrukturës së cilësisë mbi baza të shëndosha, e që rezultatet e të gjitha shtyllave të kësaj infrastrukture të jenë të pranuara në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes trupave të saj dhe grupeve profesionale po e bën transpozimin e Direktivave evropiane, një pjesë e madhe e të cilave është obligim i kësaj Ministrie. Ky proces shërbehet me standardet kosovare SK, të cilat janë adoptuar si standarde nacionale”, tha Salihu, duke shtuar se ky 10-vjetor e gjen Kosovën me 7,500 standarde të miratuara si standarde kosovare SK./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme