Google ADS

Shefi i BE-së takon Guvernatorin e BQK-së, flasin për zhvillimet e fundit makroekonomike

09:52 | 16 Shkurt 2022
arbresh.info

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, është pritur në takim nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomáš SZUNYOG.

Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve të fundit makroekonomike, e në veçanti në sektorin financiar.

Guvernatori Mehmeti njoftoi Shefin e Zyrës së BE-së lidhur me veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në zhvillimin dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, si dhe me aktivitetet e rregullta në fushën e integrimit, të zhvilluara së bashku me institucionet e BE-së.

Guvernatori Mehmeti theksoi edhe masat e kujdesshme të cilat janë ndërmarrë nga BQK-ja në bashkëpunim me institucionet financiare që operojnë në Kosovë, të cilat janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe minimizimit të pasojave për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Si rezultat i këtyre masave, rreziqet e pritura ndaj sektorit bankar nuk u materializuan dhe sektori bankar arriti ta ruajë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë dhe kishte një rol shumë të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë përmes kreditimit të vazhdueshëm dhe ofrimit të masave lehtësuese për huamarrësit.

Ndër të tjera Guvernatori e informoi SZUNYOG për masat e ndërmarra në sektorin e sigurimeve, duke përfshirë avancimin e kornizës rregullative e mbikëqyrëse, deri te masat më ekstreme të revokimit të licencave për kompanitë, që përfundimisht kanë dështuar të përmbushin kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi.

Njëkohësisht, Guvernatori falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme