Google ADS

Serbia nuk zbaton marrëveshjet ekonomike me Kosovën

15:41 | 13 Korrik 2015
Arbresh.info

Bisedimet të cilat po zhvillohen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, nuk kanë dhënë rezultate të mira në aspektin ekonomik, madje disa marrëveshje që kanë të bëjnë me çështjet ekonomike nuk kanë gjetur fare zbatim.

Kështu vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Marrëveshja kryesore e cila është jetësuar në praktikë, kujtojnë ata, është ajo për njohjen e vulave doganore.

Por, sipas tyre, efektet në Kosovë kanë qenë simbolike për arsye se Kosova ka eksport shumë të ulët krahasuar me importin e madh të produkteve të Serbisë që vinë në Kosovë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dhënë disa fryte simbolike, por fatkeqësisht jo në nivelin e dëshiruar, për faktin siç shprehet Gashi, “Serbia është e prirë të nënshkruaj marrëveshje dhe të mos i zbatojë ato”.

“Një intervenim i drejtpërdrejtë në shtetin e Kosovës nga ana e Serbisë në aspektin ekonomik është edhe ndarja e vijave buxhetore të Serbisë për Kosovën, për arsye se ne ende kemi financimin e strukturave paralele nga Serbia në Kosovë përkundër faktit se me marrëveshjen e Brukselit të prillit të vitit 2013 është paraparë ndryshe”, shton Gashi.

Sa i përket çështjeve të pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë, siç janë energjia dhe telekomi, eksperti i çështje ekonomike Gashi, dyshon se mund të zbatohen edhe nëse arrihen marrëveshje.

“Sa i përket telekomit dhe energjisë ne jemi të vetëdijshëm se në veriun e Kosovës nuk ekziston një kontroll i autoriteteve të Kosovës për fatin se atje strukturat paralele janë 100 për qind nën kontrollin e Serbisë dhe çdo marrëveshje e cila do të dërgonte në shuarjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin e asaj pjese në fushën e ekonomisë, respektivisht telekomin dhe energjinë në sistemin kosovar do të ishte e rëndësishme për Kosovën”, shton Gashi.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, në anën tjetër, kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të kenë ndikim më të madh tek Serbia në nënshkrimin e marrëveshjeve në aspektin ekonomik dhe zbatimin e tyre.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se shumë marrëveshje ekonomike të nënshkruara të cilat nuk kanë gjetur zbatim kanë penguar bizneset.

Ai thekson se dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, e ka penguar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Delegacioni i Kosovës pothuajse në shumicën e rasteve po tregohet tejet tolerant dhe kjo tolerancë po e dëmton biznesin, ekonominë dhe prodhimtarinë. Kjo është duke vazhduar edhe me kartonët e gjelbër që ne vazhdimisht kemi pasur probleme me Serbinë. Transporti i Kosovës pothuajse shumë pak shfrytëzohet në Serbi për shkak të taksave që Serbia ia vë transportuesve kosovarë”, thekson ai.

Sidoqoftë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të avancojnë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme