Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, është emëruar koordinator kombëtar i fondit investiv të Qeverisë amerikane Millennium Challenge Corporation (MCC). Sipas Selimit, Kosova është vendi i parë në tërë Ballkanin Perëndimor që fiton qasje në këto fonde. Emërimin e tij e uroi publikisht edhe Dhoma për Politikë të Jashtme e Kongresit Amerikan, që flet shumë për rëndësinë e këtij angazhimi amerikan.
Selimi në një intervistë për gazetën “Epoka e Re” ka folur për përkrahjen amerikane për ekonominë e Kosovës në vitet e ardhshme për fushat e investimit dhe për specifikat e këtij fondi amerikan në krahasim me përkrahjen e viteve të shkuara si USAID, NDI dhe organizmat e tjerë.
Epoka e re: Tash e disa javë ndodhi edhe ndryshimi i kabinetit qeverisës dhe u kthyet në pozitën e zëvendësministrit të Jashtëm nga ajo e ushtruesit të detyrës së ministrit të Jashtëm. Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës në gjysmën e parë të këtij viti?
Selimi: Mendoj se ka ndodhur deri te një pjekuri e kuptimit të politikës së jashtme nga të gjithë aktorët në Kosovë, jo vetëm nga Ministria e Jashtme, por edhe nga institucionet e tjera, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe partitë politike. Më herët ishim të koncentruar vetëm në njohje dhe aty fillonte dhe mbaronte çdo diskutim i diplomacisë.
Ne këtë vit kemi pasur një eksplozion të interaksionit ndërkombëtar të Kosovës, nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim në prill dhe vlerësimi pozitiv për viza që ndodhi në maj, e deri tek anëtarësimi në UEFA dhe FIFA. Kemi organizuar edhe konferencën masive ndërfetare që solli Nobelistë të Paqes në Kosovë. Ka pasur edhe dy zhvillime tejet pozitive si anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Konventa Apostile si dhe Byroja Ndërkombëtare e EXPO-s.
Tri zhvillimet e fundit janë posaçërisht të rëndësishme, sepse përbëjnë aderimin e Kosovës në konventa multilaterale ndërkombëtare, duke krijuar një risi në diplomaci e Kosovës – të anëtarësimit në instrumente ligjore ndërkombëtare. Natyrisht, është punuar edhe në njohje bilaterale dhe pres që ministri Hoxhaj ta rifuqizojë edhe këtë fushë të përpjekjeve tona diplomatike.
Epoka e re: Jeni emëruar edhe koordinator kombëtar për fondacionin MCC-ja në Kosovë. Si hyn kjo punë në fushëveprimin tuaj?
Selimi: Realisht pozita ime formale do të mbetet e zëvendësministrit, por fokusi do të jetë kryesisht në zhvillimin e programit kosovar të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit apo “MCC Kosovo”. Kjo ishte një formulë e pajtuar midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj amerikane që të mundësohet krijimi i një urë lidhëse midis operimit të ekipit tim dhe institucioneve të Kosovës.
Por, më lejoni të them se ky nuk është fondacion klasik, por më shumë një instrument i Qeverisë amerikane për të siguruar investime në krijim të vendeve të reja të punës, rritje ekonomike dhe zvogëlim të varfërisë në ato shtete që kanë indikatorë të matshëm të progresit në liritë politike dhe demokratike, në luftimin e korrupsionit dhe promovimin e tregut të lirë.
Epoka e re: Ku do të investohen këto mjete dhe cila është madhësia e investimeve?
Selimi: Fillimisht duhet të punojmë në dy drejtime, që ta ruajmë progresin në fushat e ndryshme që maten nga agjencitë e OKB-së, Banka Botërore si dhe think-tankët e mëdhenj amerikanë. MCC-ja është instrument i rëndësishëm sepse është i bazuar në progres shoqëror dhe këtë progres duhet ta ruajmë. Një ligj i keq i votuar në Kuvend mund të sjellë deri tek suspendimi i marrëveshjes.
Po punohet për matje të sfidave të Kosovës. Një ekip amerikan ishte këto javë në Kosovë dhe në muajt e ardhshëm do të krijojë një hartë të problemeve të ekonomisë së Kosovës. Pastaj përpilojmë konceptet e zgjidhjeve të mundshme e, në fund, bëhet edhe hartimi i projekteve dhe nënshkrimi i kontratës “Kompakt”, që është edhe kontrata më masive e MCC-së.
Vlera nuk mund të përcaktohet tani. Varet nga kapaciteti absorbues i ekonomisë së Kosovës dhe mund të jetë shumë nga 100 deri 500 milionë dollarë. Shuma nuk është relevante të diskutohet tani sa është që të kemi progres të vazhdueshëm si shoqëri dhe ekonomi e tregut. Gjithashtu, të kemi projekte të identifikuara dhe përpiluara mirë që zgjedhin problemet reale.
Epoka e re: Cilat janë problemet reale të ekonomisë së Kosovës? Si do të zgjidhen ato me këto investime amerikane?
Selimi: Problemet janë duke u identifikuar, duke u përdorur edhe statistikat dhe të dhënat kuantitative, edhe intervista dhe të dhëna kualitative me shoqëri civile, me përfaqësues të bizneseve. Mendoj se shumica pajtohen se janë disa grupe sfidash, nga arsimi, sundimi i ligjit, e deri tek kreditë me interesa të larta apo problemet e ambientit apo energjia elektrike që janë identifikuar.
Pra, janë 5-6 fusha problemesh, por në fund duhet të identifikohen ato që janë me të vërtetë problematike dhe projektet duhet të kenë një natyrë transformative. Pra, të jenë investime të fokusuara, të thella dhe me potencial që ta ndryshojnë situatën thellësisht në fushat e përzgjedhura.
Epoka e re: Kur pritet të identifikohen projektet e para?
Selimi: Tani ka filluar procesi konsultativ dhe ekipi i ekspertëve amerikanë së bashku me ekipin e Kosovës kanë pasur afër 100 takime në Kosovë. Para shtatorit do të dihen fushat e mundshme të angazhimit, pastaj fillon faza e përpilimit të koncepteve të solucioneve, ndërsa vitin e ardhshëm shpresojmë edhe përpilimi i projekteve konkrete, aprovimi i tyre dhe nënshkrimi i kontratës “Kompakt”, që mundëson edhe lëvrimin e mjeteve.
Që të gjitha këto duhet të përcillen edhe me punë për përforcimin e ekipit implementues në Kosovë, sigurimin e progresit në qeverisje të mirë dhe klimës investuese. Kjo kërkon koordinim përtej një ministrie apo edhe Qeverisë, ngaqë duhet pasur përfshirje edhe të kategorive të margjinalizuara, ekspertëve të ekonomisë, shoqërisë civile dhe pushtetit lokal.
Epoka e re: Angazhimi juaj në MCC u përcjell edhe me një mesazh urimi në faqen zyrtare të Dhomës për Politikë të Jashtme të Kongresit? Sa është i përfshirë Kongresi Amerikan në këtë proces të MCC-së?
Selimi: Përfshirja e Kongresit dhe Senatit në qendër të MCC-së në Uashington është fundamentale ngaqë kjo degë e Qeverisë amerikane është themeluar me vendim të Kongresit. Në rastin e Kosovës, kongresmenët si Eliot Engël kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm duke i ndihmuar Qeverisë dhe Presidencës vitin e kaluar për ta arritur marrëveshjen fillestare të kualifikimit të Kosovës për MCC.
Duhet ta kuptoni se Kosova është vetëm vendi i tretë në tërë Evropën që ka mundësi të përfitojë nga kontrata “Kompakt”. Asnjë shtet ballkanik s’e ka pasur këtë mundësi dhe kjo është medoemos edhe meritë e miqve të Kosovës në Kongres dhe Qeverinë amerikane. Në anën e Kosovës ka pasur bashkëpunim të madh në mes të ambasadës sonë në Uashington, Zyrës së Presidencës, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera që të arrijmë te kjo pikë. Jam krenar që në një proces garues dhe të thellë të jem pjesë e një procesi që mund ta ndryshojë rrënjësisht ekonominë e Kosovës dhe jam falënderues për përkrahjen si në Uashington ashtu edhe në Prishtinë që të arrijmë një sukses në këtë fushë.
Epoka e re: Përfundimisht, ky projekt amerikan a do të sjellë ndryshim të përkrahjes apo zvogëlim të angazhimit të USAID-it apo edhe institucioneve të tjera?
Selimi: Jo, MCC-ja në Kosovë do të sjellë ndryshim kualitativ dhe kuantitativ të angazhimit dhe përkrahjes zyrtare amerikane. USAID-i ka programet e veta të rëndësishme dhe shumëvjeçare në Kosovë. Edhe organizatat e tjera amerikane do të vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në sundimin e ligjit, siguri, demokratizim, por MCC-ja me formulën e vet të operimit do të sjellë mundësi të reja që t’i zgjedhim disa probleme të vjetra. Pra, ky është një super investim i ri amerikan. Statistikat globale janë shumë të qarta: shtetet që kanë përfituar nga MCC-ja qëndrojnë më mirë mesatarisht në shumë indikatorë sesa shtetet që nuk kanë nënshkruar MCC-në.
Angazhimi paralel për arritjen e progresit në indikatorët kyçë të qeverisës dhe tregut të lirë, kombinuar me investime të mëdha në fusha sfiduese për ekonominë e Kosovës, kanë potencial transformues.
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës