Google ADS

Sektori i agrobiznesit me potencial të madh për zhvillimin ekonomik të vendit‏

14:32 | 9 Tetor 2015
Arbresh.info

Mundësitë dhe potencialet ekzistuese që ofron sektori i bujqësisë në vendin tonë, sfidat me të cilat përballen fermerët dhe përpunuesit e produkteve bujqësore, hartimi i politikave më të favorshme në përkrahjen e këtij sektori dhe ndikimi i tij në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, ishin disa nga temat të cilat u diskutuan gjatë një tryeze me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, z. Arian Zeka vlerësoi përpjekjet e deritashme të Ministrisë së Bujqësisë, duke shtuar se rritja e buxhetit për përkrahje të aktiviteteve bujqësore kanë inkurajuar interesim më të madh për iniciativa dhe projekte në këtë sektor. Ndërsa, President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Hakif Gashi, u shpreh në përkrahje të organizimeve të tilla të cilat mundësojnë të kemi diskutime rreth zhvillimit ekonomik të vendit dhe mundësive që ofrojnë sektorët përkatës, përfshirë edhe atë të bujqësisë, duke potencuar prodhimin si faktor kryesor me ndikim edhe në përmirësimin e bilancit tregtar aktual.

Në anën tjetër, Ministri Krasniqi theksoi rëndësinë që ka dialogu dhe komunikimi efikas dhe i hapur mes institucioneve të vendit dhe bizneseve, e sidomos në krijimin e politikave të cilat mundësojnë rezultate konkrete pozitive drejt zhvillimit të sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Më tej, ai përmendi bujqësinë si një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe institucionit që ai drejton, si një ndër sektorët më me potencial që po shënon rritje të vazhdueshme me pjesëmarrje momentale prej 12 % në Bruto Produktin Vendor. Ai poashtu shtoi se rreth 20 % e gjithë punësimit në Kosovë është i lidhur më këtë sektor. Krasniqi gjithashtu njoftoi të pranishmit lidhur me projektet vijuese të kësaj Ministrie, përfshirë edhe programin për zhvillim rural i cili synon të krijoj afro 2500 vende të reja pune vetëm gjatë këtij viti.

Sa i përket objektivave qendrore, Krasniqi përmendi rritjen prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar përmes përforcimit të kapaciteteve primare dhe sekondare, rritjen e standardit dhe cilësisë dhe diversifikimin e aktiviteteve nëpër ferma, si dhe avancimin e njohurive dhe inovacioneve në bujqësi, kjo e fundit përmes shërbimeve këshilluese. Ministri Krasniqi foli edhe për sfidat me të cilat ky sektor përballet. Ai tha se problemet janë kryesisht strukturore, duke përmendur fragmentalizimin e tokës, mungesën e kapaciteteve të ujitjes, infrastrukturën e kufizuar rurale, dhe qasjen e limituar në kreditim.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë me Ministrin Krasniqi, duke adresuar disa nga shqetësimet dhe çështjet me të cilat ata përballen gjatë veprimtarisë së tyre, për të cilat Ministri u zotua që do t’i marrë parasysh dhe trajtojë me seriozitet.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme