Në Kosovë mbi 574 mijë tonë ka qenë sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2013. Rreth 317 kilogramë mbeturina është mesatarja e gjeneruar për kokë banori, apo vetëm në rajonin e Prishtinës, për vitin 2013 sasia e mbeturinave komunale ka arritur 1.4 kilogram në ditë për një banor.
Kështu thuhet në raportin e fundit “Disa fakte mbi mjedisin 2015”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, (ASK) ku tregohet se në Kosovë grumbullimi i mbeturinave derë më derë ishte 69 për qind, ndërsa në banim kolektiv ka qenë 31 për qind.
Lidhur me këtë, ekspertë të ambientit konsiderojnë se sasia e mbeturinave për kokë banori në Kosovë është shumë e lartë.
Profesori Zeqir Veselaj, në një prononcim për rel, thotë se një aspekt që e komplikon situatën e mbeturinave në Kosovë, është se në politikat e Bashkimit Evropian, menaxhimi i mbeturinave administrohet nëpërmjet një sistemi që quhet piramida e mbeturinave.
Në bazë të kësaj piramide, sipas tij, në radhë të parë vjen parandalimi i mbeturinave, ripërdorimi, riciklimi dhe krejt në fund është deponia. Kurse, në Kosovë ndodh e kundërta.
“Kjo piramidë që ekziston në Bashkimin Evropian, në Kosovë në fakt është kthyer përmbys. Në Kosovë zgjidhja e parë është deponia. Te ne, shumë pak ose aspak nuk i kushtohet vëmendje mundësisë së parandalimit të mbeturinave që në burim. Nuk kemi raste kur qytetari mund të marrë një qese tekstili që të marrë bukën, si nevojë e përditshme, por zakonisht i jepet me një qese plastike dhe ajo qese plastike menjëherë pas përdorimit shndërrohet në hedhurina”, thotë Veselaj.
Edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në një raport të quajtur “Menaxhimi i sistemit të mbeturinave komunale”, thuhet se Kosova ka problem serioz me menaxhimin e mbeturinave komunale.
Kompanitë Rajonale të Mbeturinave, thuhet në raport, nuk i mbledhin mbeturinat në tërë territorin e vendit. Vetëm 50 për qind popullatës së vendit pranojnë shërbime pastrimi, prej tyre90 për qind jetojnë në zona urbane dhe 10 për qind në zona rurale.
Edhe aty ku mbeturinat mblidhen, shërbimet e ofruara nuk janë në nivelin e duhur. Kjo ka rezultuar me krijimin e deponive të egra të mbeturinave në ambiente publike dhe në gjendjen e rëndë mjedisore në vend
Por, disa qytetarë konsiderojnë se përveç menaxhimit joadekuat të hedhurinave nga autoritetet kompetente, një pjesë fajit për ambient të ndotur e kanë vetë qytetarët e Kosovës.
Learta Blakaj, studente në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë, thotë se ka njerëz që kujdesen për ambientin, por, sipas saj, ka edhe të atillë që nuk kanë kujdes fare.
“Në përgjithësi, ka njerëz që janë të kujdesshëm, unë kam hasur në persona të tillë. Por, nuk janë të paktë as ata, të cilët janë plotësisht të pandërgjegjshëm dhe nuk i hedhin mbeturinat në vendet e caktuara, por zakonisht rrugës ose në vendet ku janë duke kaluar andej pari. Një pjesë e madhe e fajit për një ambient jo të pastër është edhe e qytetarëve, të cilët nuk janë të kujdesshëm dhe u japin arsye të tjerëve që të ankohen për ta”, thotë Learta.
Klasifikimi i mbeturinave vlerësohet mekanizëm drejt përmirësimit të menaxhimit të tyre, madje kjo është edhe kërkesë ligjore, e cila është përfshirë edhe në strategjinë 2013-2022 për menaxhimin e mbeturinave për të lehtësuar riciklimin.
Në raport, ndërkaq, thuhet se është detyrë e komunës ta organizojë sistemin e klasifikimit dhe ta themelojë një infrastrukturë të përshtatshme për ta mundësuar këtë proces.
Se riciklimi është një ndër metodat më të mira për të zvogëluar sasinë e mbeturinave, thotë edhe profesori Zeqir Veselaj.
“Në disa materiale që mund të riciklohen qëndrojmë më mirë, siç është rasti me kanaçe, riciklimi është në faza shumë të hershme, riciklimi i metaleve, skrapit është në faza të avancuara, kurse riciklimi i plastikës dhe qelqit është në faza shumë të hershme, mos të them se nuk ekziston fare”, thotë Veselaj për rel
Edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare është theksuar se Kosova gjendet në pozitë të rëndë mjedisore.
Sipas një analize të mëhershme të Bankës Botërore është thënë se një realitet i tillë e rendit Kosovën në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës kanë marrë përmasa alarmante dhe gjendja po keqësohet në Kosovë çdo ditë e më shumë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?