Samiti i Trieste, ja çfarë është Zona Ekonomike Rajonale

12:36 | 14 Korrik 2017
arbresh.info

Zona Ekonomike Rajonale u theksua si sukses i Samitit të Triestes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan arbresh.info.

Prej Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, u tha se Kosova arriti të shmangte Bashkimin Doganor të pretenduar në samitin e kaluar të këtyre vendeve.

Por, se çfarë përmbanë konkretisht kjo marrëveshje, dhe pyetjet kryesore që mund të shtrohen rreth kësaj marrëveshje e keni të publikuar më poshtë.

Cili është qëllimi i zonës ekonomike rajonale?

Zona ekonomike rajonale e Ballkanit Perëndimor synon zhvillimin e një zone ku mallrat, shërbimet, investimet dhe punëtorët e kualifikuar mund të lëvizin pa pengesa. Ajo do të rrisë tregun në dispozicion të investitorëve potencialë në rajon: qasja në pothuajse 20 milionë konsumatorë nga një bazë e vetme dhe mundësitë për të krijuar zinxhirë të vlerave përtej kufijve do të nxisë tërheqjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, duke përfituar gjithashtu nga marrëdhëniet tregtare me BE-në.

Cila është pozita e Komisionit Evropian në zonën ekonomike rajonale të Ballkanit Perëndimor? A është ky propozim i Komisionit?

Komisioni Evropian është duke iu përgjigjur thirrjeve nga vetë rajoni për thellimin e bashkëpunimit për nxitjen e rritjes dhe krijimin e më shumë vendeve të punës.

Për disa vite, Komisioni ka bërë propozime për të zhvilluar “lidhjen” e sistemeve të transportit dhe energjisë, si një politikë kryesore për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të mbështetur rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht, Komisioni mbështet plotësisht ambiciet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për një integrim më të thellë ekonomik rajonal dhe është shumë i interesuar të japë mbështetjen e vet politike, teknike dhe financiare. Por do të jetë vetë vendi që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar integrimin ekonomik rajonal.

A është zona ekonomike rajonale një zëvendësues për anëtarësimin në BE apo do të zëvendësojë procesin e zgjerimit?

Jo, nuk është një alternativë për integrimin në BE.

Përkundrazi, thellimi progresiv i integrimit ekonomik në rajon duhet të bazohet në rregullat dhe parimet e BE-së. Një qasje e tillë do të sigurojë integrimin brenda rajonit dhe me BE-në. Në këtë mënyrë, kjo iniciativë do të jetë një hap i rëndësishëm për përgatitjen për pranimin në BE.

Si do të vihet kjo në praktikë?

Koncepti do të vihet në veprim përmes një plani shumëvjeçar të veprimit, të miratuar nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017. Plani i veprimit përfshin katër dimensione: tregtinë, investimet, lëvizjen dhe tregun digjital.

Përsa i përket tregtisë, palët kanë rënë dakord të mobilizojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar me sukses protokollet shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, për të përfunduar shpejt miratimin e protokollit shtesë mbi tregtinë e shërbimeve dhe për të filluar pa vonesë zbatimin e tij (veçanërisht për shërbimet kyçe si financat, sigurimet dhe transporti) dhe për të nisur negociatat për një protokoll të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Dispozitat për tarifat e tregtisë elektronike dhe ato të jashtme përfshihen gjithashtu.

Në lidhje me investimet, palët kanë rënë dakord të krijojnë një agjendë rajonale të investimeve, e cila do të përfshijë shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira për politikat e investimeve dhe identifikimin e politikave që mund të harmonizohen. Palët gjithashtu bien dakord të stimulojnë zhvillimin e sektorit privat në mënyrë që të rrisin përfitimin e zonës ekonomike rajonale për ekonomitë lokale.

Mbi lëvizjen, palët kanë rënë dakord të heqin pengesat për lëvizjen e profesionistëve, nëpërmjet marrëveshjeve rajonale të njohjes së ndërsjellë të kualifikimeve profesionale dhe largimin e pengesave për lëvizjen e studentëve, studiuesve dhe akademikëve

Dimensioni digjital mbulon shpërndarjen e roaming-ut dhe rrjetit broadband, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave dhe do të adresojë nevojat e aftësive digjitale në rajon.

Cili është afati kohor?

Kjo do të varet nga ambicia e rajonit! Afati kohor për themelimin e zonës ekonomike rajonale nuk duhet të vendoset nga BE-ja por nga vetë palët. Komisioni Evropian do të mbështesë partitë në këtë proces.

Çfarë përfitime do të sjellë ajo për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në?

Integrimi më i madh ekonomik do ta bëjë rajonin më tërheqës dhe konkurrues. Angazhimi në një zonë ekonomike rajonale dërgon një mesazh të fuqishëm se Ballkani Perëndimor është një treg prej rreth 20 milionë konsumatorësh me potencial të madh të pashfrytëzuar. Kjo do të tërheqë më shumë investime të huaja direkte (IHD) dhe do të çojë në rritjen më të lartë ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Për BE-në, një zonë e tillë do të hapë gjithashtu mundësi të reja për kompanitë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke zhvilluar zinxhirë të vlerave në rajon. Kjo do të siguronte integrimin brenda rajonit dhe me BE-në dhe në të njëjtën kohë do të nxisë përafrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

/arbresh.info/

 

Të ngjashme