Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Marrëveshja e arritur në Washington, ndonëse me sfond politik, i siguron përfitime të Kosovës.
“Marrëveshjet me Serbinë janë që të gjitha me sfond politik. Normalizim ekonomik, ky konsiderohet si normalizim i raporteve ekonomike, por nuk definon se cilat janë ato raporte ekonomike që po normalizohen”, ka thënë ai.
Si ka vazhduar Rukiqi, marrëveshja ka pasur “ambalazh” normalizimin ekonomik, përderisa brenda ka shumë çështje gjeopolitike dhe të politikës ndërkombëtare.
“Ajo se çka mund të konsiderohet se ndikon në raportet ekonomike Kosovë-Serbi është: 1. Pjesa e infrastrukturës, pra projektet infrastrukturore; 2. Përkrahja për sektorin privat; 3. Pjesa që lidhet me mini-Schengenin dhe 4. Pjesa që lidhet me pikën kufitare në Merdare”, ka sqaruar ai.
Sa i përket pikës së katërt, ai ka thënë se jo vetëm që lidhet me qarkullimin e njerëzve, lëvizjen e diasporës që e përdor shumë këtë pikë kufitare, por edhe me pjesën e kamionëve.
“E tërë kjo ide, edhe ajo e mini-Schengenit, kur shikohet nga aspekti tregtar dhe ai ekonomik, është që të ketë sa më pak pritje nëpër kufij. Pra kjo konsiderohet një prej atyre pikave që tentohet të shtyhet përpara”, ka thënë ai.
Rukiqi po ashtu ka shtuar se pjesë tjetër që lidhet me ekonominë është ajo e infrastrukturës, por, si ka bërë të ditur ai, këto nuk janë projekte që po futen për herë të parë në marrëveshje.
“Këto janë projekte që janë diskutuar për një kohë të gjatë. Vetë procesi i Berlinit tenton të sjellë në tavolinë dhe të gjejë mjete për fizibilitetin e pastaj edhe për implementimin e këtyre projekteve që i lidhin vendet e Ballkanit. Dhe, duke i lidhur mes vete, atyre pastaj iu krijohet mundësia për të qenë më tërheqëse për investim nga kompanitë e huaja, sidomos kompanitë evropiane dhe në të njëjtën kohë të lidhen me tregjet evropiane”, ka thënë ai.
Rukiqi, duke iu referuar diskutimit për hekurudhat ka thënë se tashmë ekziston një projekt i rëndësisë strategjike, me Shkupin.
“Tani po tentohet që i njëjti të vazhdojë në drejtim të veriut të Kosovës, e pastaj edhe për në Serbi. Pastaj diskutohet të lidhet Deti Adriatik me pjesën e Evropës Perëndimore, me pjesën tokësore ta them kushtimisht, me Budapestin”, ka thënë ai./koha.net/
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...