Rritet papunësia për 18 për qind

06:56 | 1 Korrik 2015
Arbresh.info

Papunësia në Kosovë në vitin 2014 është rritur për rreth 18 për qind krahasuar me vitin 2013. Shprehur në shifra konkrete, numri i të papunëve është rritur për 31 mijë e 914 persona.

Agjencia e Statistikave e Kosovës ka publikuar anketën e fuqisë punëtore që tregon se papunësia në Kosovë në vitin 2014 ishte 35.3 për qind. Në vitin 2013, niveli i papunësisë ishte raportuar në nivel prej 30 për qind. Kjo ngritje prej 5.3 pika të përqindjes apo rreth 18 për qind është bërë për shkak të rënies së numrit të punësuarve, si dhe rritjes së personave aktivë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vitin e kaluar Agjencia e Statistikave kishte marrë kritika nga shoqëria civile e partitë opozitare për uljen artificiale të numrit të papunësisë përmes rritjes së numrit të personave joaktivë.

Personat joaktivë, konsiderohen atë të cilët nuk ishin as të punësuar e as të papunë, si dhe që nuk kishin kërkuar punë dhe nuk ishin as të gatshëm të fillonin një punë me pagesë.

Raporti për nivelin e papunësisë për vitin 2013 ishte publikuar disa ditë para zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar. Edhe Banka Botërore kishte shprehur rezerva për vonesat e publikimit të raportit për papunësinë për shkak të nivelit të lartë të papunësisë që kishte rezultuar nga anketat e vitit të kaluar.

Në raportin e Agjencisë për vitin 2014, që është publikuar të martën, janë disa faktorë që kanë ndryshuar krahasuar me raportin e vitit 2013.

Në vitin 2014, ASK-ja thotë se numri i personave aktivë ka qenë më i lartë për 1.1 për qind.

“Nga 41.6% e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 35.3% janë të papunë”, thuhet në raportin për papunësinë në vitin 2014. Në vitin 2013 papunësia ka qenë 30 për qind.

Shprehur në shifra konkrete, në vitin 2014 numri i personave të papunë, sipas të dhënave zyrtare, janë 176 mijë e 743 persona. Pra, në vitin 2014 ka 31 mijë e 914 persona më shumë të papunë se në vitin 2013, kur ishin vetëm 144 mijë e 829 persona.

Rritja e numrit të papunësisë, sipas të dhënave të ASK-së, ka ardhur nga disa faktorë. E para është rënia e numrit të personave që janë të punësuar, përkatësisht humbja e vendeve të punës.

Të dhënat flasin se në vitin 2014 numri i personave të punësuar ka qenë 323 mijë e 508 persona apo vetëm 26.9 për qind e personave të aftë për punë. Në vitin 2013, numri i të punësuarve ka qenë 338 mijë e 364, apo 28.4 për qind e personave në moshë pune. Kjo shifër tregon se në vitin 2014 punën e kanë humbur 14 mijë e 856 persona, të cilët kanë qenë në marrëdhënie punë ne vitin paraprak.

Në vitin 2014 llogaritet se 58.4 për qind e popullsisë në moshë për punë nuk kanë qenë ekonomikisht aktiv. Kjo do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Në vitin 2013, niveli i popullsisë joaktive ishte 59.5 për qind.

 

Në pjesë e personave joaktivë përveç shkallës së lartë të femrave dhe nxënësve janë edhe një shtresë e qytetarëve të aftë për punë, por që janë dëshpëruar për shkak të pamundësisë në të kaluarën për të gjetur një vend pune.

Agron Demi, drejtor i Institutit GAP, thotë se raporti i papunësisë është më real, krahasuar me atë të vitit të kaluar, por prapë është joreal.

“Të dhënat e fundit të fuqisë punëtore të ASK-së tregojnë një pasqyrë më reale të papunësisë se sa ajo e disa viteve më parë, por prapëseprapë të dhënat se papunësia është 35.3% nuk janë reale. Madje nëse lexohet në tërësi raporti i ASK-së, edhe aty shihet se metoda e kalkulimit të papunësisë nuk e tregon papunësinë reale në Kosovë”, ka thënë Demi.

për një dallim të madh gjinor në mesin e të punësuarve. Vetëm 1 në 5 femra në moshë punë janë aktive në tregun e punës, apo 21.4 për qind. Apo vetëm 12.5 për qind e femrave në moshë pune (15-64) janë të punësuara. Pjesa më e madhe e femrave kanë deklaruar se janë joaktive për shkak të obligimeve familjare.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme