Rritet borxhi i Kosovës

15:38 | 20 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Borxhi publik i Kosovës gjatë këtij viti është rritur, por, megjithatë mbetet më i ulëti krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, deri në shtator të këtij viti, borxhi publik ka arritur në 719.5 milionë euro, nga 550.9milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton Evropa e lirw.

Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur 12.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kjo vlerë Kosovën e vë në pozitë mjaft të volitshme sa i përket borxhit publik, prandaj ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë kredi vetëm për qëllime zhvillimore, ka shkruar në rrjetin social facebook, ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se shuma e borxhit aktual nuk është e lartë, por shqetësues, sipas tyre, mbetet fakti se ky borxh po rritet shumë shpejt.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se borxhi kryesisht po rritet për të ruajtur qëndrueshmërinë buxhetore dhe jo për investime kapitale.

“Nëse kemi parasysh se para dy vjetësh borxhi publik ka qenë dy herë më i ulët dhe pjesëmarrja e tij në BPV ka qenë rreth 5 për qind, tashmë rritja është shumë e shpejtë. Dhe, për fat të keq, ky borxh publik po rritet vetëm për të ruajtur bilancin buxhetor, do të thotë për të financuar deficitin buxhetor dhe jo përinvestime në projektet kapitale, vlerëson Rexhepi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme