Rreth 520 mijë qytetarë presin falje të borxheve

13:45 | 12 Shkurt 2016
Arbresh.info

Rreth 520 mijë vlerësohet të jetë numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro.

Qeveria tashmë ka vendosur t’ua falë këto borxhe qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Edhe pse sipas zyrtarëve të Ministrisë se Financave , raporti përfundimtar për shumën e borxheve do të publikohet javën e ardhshme.

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në muajin shkurt të vitit të kaluar, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Agim Dibrani, këshilltar i ministrit të Financave, për Radion Evropa e Lirë, thotë se komisioni ka hartuar listat e obligueseve të cilët lirohen nga borxhet për periudhat e caktuara.

“Paraprakisht, çdo qytetar i Kosovës duhet të aplikojë në institucionet përkatëse. Ne në këtë drejtim kemi bërë punë shumë të mirë edhe në nivelet lokale, mirëpo pjesa me ndërmarrjet publike merr një kohë më të gjatë. Brenda afatit të caktuar do të dalim edhe më shifrat përfundimtare”, tha Dibrani.

Dibrani thotë se vetëm në Korporatën Energjetikë të Kosovës borxhi llogaritet të jetë rreth 362 milion euro.

Por, sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj korporate është rreth 255 milionë euro.

Kjo korporatë tashmë ka dërguar në Distribucionin e Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), listat e 63 mijë konsumatorëve për fshirjen e borxheve me automatizëm, me një vlerë prej rreth 25 milionë euro, ndërkaq kanë mbetur edhe 170 mijë konsumatorë më 230 milionë euro.

Ndryshe, Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se kjo kompani ka publikuar listat e borxhlinjve kurse komisioni i formuar bën shqyrtimin e të gjitha ankesave eventuale.

Sipas tij, borxhlinjtë më të mëdhenj janë konsumatorët e amvisërisë.

“Pjesa më e madhe e borxhit i takon konsumatorëve të amvisërisë, pastaj bizneset për shkak të strukturës se tyre, kurse industria pothuajse është zero”.

Dibrani ka deklaruar se afati ligjor për të aplikuar për faljen e borxheve është muaji tetor i këtij viti.

“Ligji është në fuqi deri më 2 tetor të vitit 2016. Deri në atë kohë qytetarët mund të aplikojnë . Mirëpo duhet të kenë kujdes që në këtë periudhë sa më herët të shkojnë dhe të aplikojnë në ato institucione ku janë borxhlinjtë, në mënyrë që të realizojnë të drejtën e tyre”, tha Dibrani, transmeton REL.

Nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, sipas ligjit në fuqi përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit: të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme