Google ADS

Rimbursimi i kuponëve fiskal, qytetarët të pakënaqur

08:52 | 13 Qershor 2016
Arbresh.info

Dorëzimi i kuponëve fiskalë përmes Postës së Kosovës, ka shkaktuar vonesa në rimbursim.

Qytetarët ankohen për pritje të gjata për rimbursimin e kuponëve fiskalë. E zyrtarë të ATK-së thonë se brenda të këtij muajit, të gjitha kërkesat do të shqyrtohen dhe ato që i përmbushin kriteret do të rimbursohen.

Administrata Tatimore e Kosovës po vazhdon me projektin e  rimbursimit për kuponët fiskalë. Megjithatë, disa qytetarë ankohen për vonesa në këtë proces. Siç thonë ata, kanë kaluar dy muaj dhe ende nuk janë njoftuar për rimbursim.

E zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës thonë se komisioni është në proces të verifikimit dhe brenda këtij muaji, të gjithë do të rimbursohen. Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi- Sefa, i tha Radio Kosovës se rastet e mos-rimbursimit janë vetëm atëherë kur qytetarët japin informatat e gabuara.

Procesin e fiskalizimit e ka vlerësuar pozitiv ditë më parë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke thënë se kjo ka ndikuar që qytetarët të vetëdijesohen dhe mos të shërbehen në biznese të pafiskalizuara.

“Projekti i kuponëve fiskalë ka ngritur vetëdijen e qytetarëve për të blerë vetëm nga bizneset e fiskalizuara. Nuk jemi të kënaqur ende me nivelin e fiskalizimit të bizneseve, megjithëse trendi është në rritje dhe ky projekt  i mbledhjes së kuponëve fiskalë ka ndihmuar shumë. Statistikat tregojnë se në tre mujorin e parë të këtij viti, numri i aplikimeve është rritur në 35 për qind”, thot minstri Hoti.

Sidoqoftë, për tre mujorin e parë të këtij vitit, janë dorëzuar 113 mijë e 719 pliko. Deri më tani ATK ka rimbursuar rreth 2 milionë euro.  Vendimi i ATK-së që t’i stimulojë të gjithë konsumatorët me rimbursimin e të hollave nga grumbullimi i kuponëve fiskalë, po i ndihmon shtetit për luftimin e informalitetit te disa biznese që nuk posedojnë arka fiskale./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme