Republika Popullore e Kinës feston 70 vjetorin – Si u realizua “Mrekullia Ekonomike”

12:18 | 1 Tetor 2019
Arbresh Info

Republika Popullore kineze e cila është rikthyer në një nga fuqitë më të mëdha ekonomike në botë, sot po e feston 70 vjetorin e themelimit të saj, përcjellë arbresh.info.

Si rezultat i transformimit të vendit, pasuria u rrit në nivel të paparë, por nga ana tjetër pabarazia u thellua.

“Kur Partia Komuniste erdhi në pushtet të Kinës, vendi ishte shumë i dobët,” thotë ekspert i ekonomisë Chris Leung, duke shtuar se shteti nuk kishte as partnerë tregtie e as marrëdhënie diplomatike, por po përpiqej të mbijetojë me vështirësi të mëdha.

Në 40 vitet e fundit, Kina ka shpëtuar qindra miliona njerëz nga varfëria duke siguruar një fluks të investimeve të tregtisë së jashtme përmes një seri reformash në tregun e brendshëm.

Në vitet e 1950’a, kemi qenë dëshmitarë të një prej katastrofave më të mëdha të shekullit të 20-të.

Mao Zedung, udhëheqësi i atëhershëm i Revolucionit Kinez, u përpoq të industrializojë me shpejtësi ekonominë fshatare të vendit me fushatën ekonomike dhe sociale.

Por kjo përpjekje dështoi dhe rezultoi në vdekjen e miliona njerëzve në vitet 1959-61.

Kjo u shënua si një nga vdekjet më të mëdha në historinë njerëzore të shkaktuar nga uria.

Revolucioni Kulturor, i iniciuar përsëri nga Mao në vitin 1966, kishte për qëllim pastrimin e Partisë Komuniste nga elementët kapitalistë dhe tradicionalë, por shkaktoi shkatërrimin e strukturës sociale të vendit.

‘Punëtoria e botës’

Pas vdekjes së Mao në 1976, reformat e Deng Shiaoping filluan të ri-formësojnë ekonominë e vendit.

Ai u dha fshatarëve të drejtën për të mbjellë fushat e tyre gjë që çoi në standarde më të larta jetese dhe ulje të mungesës së ushqimit.

Me rithemelimin e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Kinës në 1979, vendi u hap për investime të huaja.

Për shkak të avantazheve të fuqisë punëtore të lirë dhe kostove të ulëta të qirasë, investitorët e huaj filluan të derdhin para në Kinë.

Krye ekonomisti i bankës “Standard Chartered Bank”, David Mann, e shpjegon këtë periudhë duke thënë se “Ishim dëshmitarë të mrekullisë më të madhe ekonomike në histori që nga fundi i viteve 1970”.

Nga vitet 1990, ekonomia kineze filloi të rritet edhe më shpejt. Pranimi i vendit në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, solli një impuls të ri në ekonominë e tyre.

Me uljen e tarifave dhe heqjen e barrierave për tregti me vendet e tjera, mallrat kineze filluan të shfaqen kudo në botë.

Mann, këtë gjendje e shpjegon duke thënë se “Kina është bërë punëtoria e botës”.

Sipas të dhënave nga Shkolla e Ekonomisë në Londër (LSE), tregtia botërore e Kinës, në vitin 1978 ishte 10 miliardë dollarë dhe përbënte vetëm 1 për qind të tregut botëror. Kjo shifër më 1985 u bë 25 miliardë dollarë, dhe pas 20 viteve kapi shifrën prej 4.3 trilionë dollarë, duke e bërë Kinën partneren më të madhe tregtare në botë.

Ulje e shkallës së varfërisë

Reformat ekonomike kanë çuar në një rritje të të ardhurave të qindra miliona kinezëve.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 850 milionë njerëz kanë shpëtuar nga varfëria. Ndërsa në vitin 2020, Kina pritet të arrijë qëllimin e saj duke e zhdukur tërësisht varfërinë.

Niveli i arsimit në vend është rritur me shpejtësi. Sipas Standard Chartered, 27 përqind e forcës punëtore të Kinës pritet të ketë arsim universitar deri në vitin 2030. Kështu që Kina do të arrijë nivelin e tanishëm të Gjermanisë në këtë kategori.

Kina tashmë ka filluar një projekt të ri për ndërtimin e “Rrugës së Mëdnafshit”

Me këtë projekt, i njohur gjithashtu si “Rruga e Mëndafshit”, Pekini synon të lidhë gati gjysmën e popullsisë së botës dhe vendeve që përbëjnë një të pestën e të ardhurave kombëtare gjë që do të rezultojë me lidhje tregtie në të gjithë botën./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme