Google ADS

Qytetarët e Mitrovicës Veriore nuk paguajnë tatimin në pronë, asnjë cent nuk u mblodh gjatë 2019-es

07:54 | 10 Korrik 2020
V. S.

Qytetarët e Mitrovicës Veriore po vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronë.

Vitin që lamë pas asnjë cent nuk është inkasuar në buxhetin e komunës nga këto të hyra, ani pse planifikimet ishin që të arrihej shuma prej 16 mijë euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës në raportin për Mitrovicën Veriore ka gjetur se gjatë vitit 2019 gjithashtu komuna nuk kishte formuar shërbimin për tatim në pronë, shkruan arbresh.info.

“Komuna përkundër planifikimit më të lart të të hyrave nga tatimi në pronë (16,000€), krahasuar me vitin 2018 (8,700€) nuk kishte arritur që të inkasoj asnjë të hyrë nga tatimi në pronë. Po ashtu, Komuna nuk ka formuar shërbimin për tatim në pronë (nuk ka menaxher, nuk ka anketues, zyrtarë të trajnuar për përdorimin e sistemit protax etj), si dhe nuk kishte bërë seleksionimin e pasurive për të krijuar pastaj regjistrin e tatimit në pronë”, thuhet në raport.

Me këtë nuk është zbatuar ligji dhe rregullat për tatim në pronë.

Në nenin e 6 –të të Ligjit për Pronën e Paluajtshme përcaktohet se tatimpaguesi është pronari i pronës së paluajtshme.

“1. Tatimpaguesi është pronari i pronës së paluajtshme. 2. Nëse pronari i pronës së paluajtshme ka vdekur, ka pushuar së ekzistuari, nuk mund të përcaktohet ose nuk mund të gjendet, tatimpagues është personi i cili e posedon ligjërisht pronën e paluajtshme”, thuhet në këtë ligj.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës thuhet gjithashtu se Kuvendi Komunal nuk ka nxjerrë asnjë rregullore për përcaktimin e shkallës tatimore.

Kjo mos pagesë ka ndikuar që të mos realizohen të hyrat e planifikuara nga komuna.

“Me mos zbatimin e Ligjit dhe rregulloreve për arkëtimin e tatimit në pronë, komuna nuk i realizon shumicën e të hyrave të cilat i takojnë sipas ligjit, duke pasur parasysh se tatimi në pronë është tatim i vetëm i decentralizuar në nivel komunal. Në këtë mënyrë nuk realizohen të hyrat e planifikuara, që ndikon direkt në arritjen e objektivave të Komunës ku bazë të financimit janë të hyrat”, thuhet më tej në raport.

Gjithashtu në të njëjtin raport i rekomandohet kryetarit që të sigurojë zbatimin e Ligjit për Tatim në Pronë.

“Kryetari duhet të sigurojë zbatimin e Ligjit për Tatim në Pronë si dhe hartimin e një rregulloreje të brendshme për përcaktimin e shkallës së tarifave. Po ashtu, kryetari duhet të funksionalizojë shërbimin komunal për tatim në pronë, dhe që përmes komunikimit pro aktiv të ndikojë në ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me rëndësinë e tatimit në pronë dhe të dobive nga të cilat përfitojnë vet qytetarët”, përfundon kjo gjetje e raportit.

Situatë e ngjashme e mos pagesës së tatimit në pronë në Mitrovicën Veriore ishte identifikuar edhe vite më parë.

Në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2018-të, të Republikës së Kosovës,  katër komunat veriore, Mitrovica Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçani nuk kishin raportuar të hyra nga tatimi në pronë.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës edhe në raportin e saj për vitin 2016 kishte identifikuar se në këtë komunë nuk ishte paguar tatimi në pronë.

Aty thuhej se të hyra ishin realizuar vetëm nga lejet e ndërtimit edhe ato në vlerë të vogël.

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet. Si pasoj nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, ndërsa nga lejet e ndërtimit ka dhënë vetëm një leje ndërtimi nga e cila janë inkasuar taksa në vlerë 19,568€, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është shumë i ulët”, thuhej në raport.

Moszbatimin e ligjit të tatimin në pronë, auditori e kishte  konsideruar si qasje jo serioze të menaxhmentit për të përfituar nga shërbimet e ofruara për rritjen e nivelit të të hyrave, por edhe të sigurisë dhe mirëqenies së shoqërisë.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës në raportin për Mitrovicën Veriore kishte gjetur edhe një ‘mal’ shkeljesh të tjera.

Gjithashtu ishte identifikuar regjistrim i dobët i të hyrave në E-kioska. Nga dokumentet e lëshuara për gjatë tërë vitit 2019 ishin grumbulluar vetëm 1,236 euro.

“Në aparatin e ashtuquajtur E-kioskë, qytetarët përveç certifikatës së lindjes mund të nxjerrin edhe dokumente të tjera si – ekstraktin e lindjes, certifikatën e kurorëzimit, lajmërimin e vendbanimit, lajmërimit për bashkësinë e përbashkët familjare si dhe vërtetimin për detyrimet e pagesës së tatimit, duke paguar nga 1€. Gjatë vitit 2019 Komuna përmes këtij aparati komuna ka arkëtuar të hyra në shumë prej 1,236€. Edhe pse ishin lëshuar lloje të ndryshme të dokumenteve, të gjitha të hyrat ishin regjistruar në kodin 50013 (certifikata e lindjes)”, thuhet në këtë të gjetur.

Sipas raportit kjo e rrit rrezikun e mos përfshirjes në PFV të një pjese të të hyrave të inkasuara në fund të vitit.

Ndryshe në Mitrovicën e veriut jetojnë rreth 26.160 banorë. Prej tyre 22.530 janë serbë, rreth 1.600 shqiptarë, rreth 1 mijë boshnjakë, rreth 500 goranë, rreth 210 turq, rreth 200 romë dhe rreth 40 ashkali./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme