Vlera e depozitave të qytetarëve është 2.66 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej 5.5%. Norma efektive e interesit që bankat u paguajnë qytetarëve për depozita llogaritet të jetë 0.9%.
Nga të dhënat e publikuara, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), struktura e depozitave dominohet nga depozitat e ekonomive familjare, të cilat përbëjnë 72.8% ose 1.93 miliard euro të gjithsej depozitave. Kategoria e dytë për nga pesha në strukturë është ajo e depozitave të ndërmarrjeve me pjesëmarrje prej 20.9% , ose mbi 555 milionë euro të gjithsej depozitave.
Sa i përket ecurisë së depozitave, ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare si kategoria dominuese, të cilat në shtator 2015 regjistruan normë vjetore të rritjes prej 5.5% ndërsa (7.5% ishte në shtator 2014).
“Depozitat e ndërmarrjeve në shtator 2015 kishin rritje vjetore prej 2.9% (nga rritja prej 8.2% që ishte në shtator 2014) ndërsa depozitat tjera (depozitat e jo-rezidentëve, organizatave jo-qeveritare, qeveritë qendrore dhe lokale etj) shënuan rritje vjetore prej 17.2% në shtator 2015 ( ndërsa 3.0% në shtator 2014)”,thuhet në publikimin e fundit të BQK-së.
Struktura e depozitave sipas afatit të maturimit ka pësuar ndryshime, ku vërehet një rënie e pjesëmarrjes së depozitave të afatizuara, që kryesisht mund të jetë pasojë e rënies së normave të interesit në depozita.
Sipas të dhënave të BQK-së, në shtator 2015, depozitat e afatizuara shënuan rënie të pjesëmarrjes në 25.2% të gjithsej depozitave (nga 36.1% që ishin në shtator 2014), derisa depozitat e transferueshme kanë rritur pjesëmarrjen në 54.1% për kundër (43.7% në shtator 2014), kurse depozitat e kursimit nuk kanë shënuar lëvizje të theksuar dhe përbëjnë 20.7% të gjithsej depozitave.
Edhe pse depozitat e afatizuara janë karakterizuar me rënie, në kuadër të strukturës së tyre vërehet një zhvendosje e ndjeshme drejt afateve më të gjata të maturimit.
“Depozitat me afat të gjatë maturimi ‘mbi 2 vite’ dhe ato afatmesme ‘mbi 1 deri në 2 vite’ kanë rritur pjesëmarrjen në strukturë, ndërsa depozitat afatshkurta ‘deri 1 vit’ kanë zvogëluar pjesëmarrjen në strukturën e gjithsej depozitave të afatizuara. Këto lëvizje janë konform normave të interesit, të cilat janë më të larta për depozitat me maturitet më të gjatë”, theksohet në publikimin e BQK-së.
Në depozita, norma mesatare e interesit u zvogëlua në 0.9% nga 1.1% sa ishte në shtator 2014. Prania e mjaftueshme e mjeteve likuide në sektorin bankar është faktori kryesor që po ndikon në ofrimin e normave të ulëta të interesit në depozita. Në shtator 2015, dallimi në mes të normës së interesit në kredi dhe depozita u zvogëlua në 7.0% nga 9.7% sa ishte në shtator 2014.
Megjithëse, kapitali vetanak i bankave komerciale në Kosovë arrin vlerën e 358.2 milionë eurove.
Bankat vazhdojnë me fitime
Bankat në Kosovë vazhdojnë të janë bizneset më të qëndrueshme dhe më profitabile në rajon. Ato vazhdojnë të raportojnë fitime të larta edhe gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2015, krahasuar me vitet paraprake.
Nga të dhënat e publikuara, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti bankat komerciale arritën fitim neto në vlerën prej 69.3 milionë eurove. Vetëm gjatë muajit shtator bankat shënuan fitim neto në vlerë prej 9.6 milionë eurosh.
BQK tregon në raport se si të hyra kryesore bankat i kanë të hyrat nga interesi (140.8 milionë euro), shpenzimet e interesit deri në këtë tremujor janë 17.6 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme dhe ato administrative janë 76.3 milionë euro.
Asetet e bankave deri në fund të muajit shtator arrijnë në vlerën prej 3.32 miliardë euro, vlera e kredive është 1.99 miliardë euro, me rritje vjetore të kredive prej 7.5% (9% kreditë e ekonomisë familjare dhe 7.2 % kreditë për ndërmarrje).
Aktualisht në Kosovë operojnë 10 banka komerciale nga të cilat 8 kanë pronësi të huaj, ndërsa 2 vendore. Ato i kanë gjithsej 265 degë në të gjithë vendin. Të punësuar në këto banka janë 3,409 punëtorë./KosovaLive.com/.
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...