Ndryshe nga të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku thuhet se në muajin maj të këtij viti ka pasur rënie të çmimeve të konsumit, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se ka pasur ngritje të çmimeve.
Disa prej tyre flasin për një standard të ulët jetësor. Të ardhurat e vogla mujore në familjet e tyre, thonë ata, po iu pamundësojnë që të blejnë gjërat e domosdoshme të konsumit.
Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara ditë më parë, thuhet se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0.1 për qind në muajin maj 2016, krahasuar me muajin maj 2015.
Po ashtu, sipas ASK-së, çmimet e konsumit kanë shënuar rënie në një mesatare prej -0.2 për qind në muajin maj, krahasuar me muajin prill të këtij viti.
Sevdije Kosumi, një qytetare nga Prishtina, tregon se ka vërejtur ngritje të çmimeve në tregun e Kosovës dhe jo rënie të tyre. Sipas saj, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet tek produktet e konsumit të përditshëm.
“Ka rritje të çmimit të disa produkteve, por që duhet blerë ato, pasi që janë të domosdoshme për t’i konsumuar. Për neve me të ardhura të ulëta është mjaft vështirë t’i përballojmë këto çmime të larta. Po ashtu çmimet nuk janë reale”, thekson ajo.
Qytetarët, ndërkaq, shprehin shqetësim se mungesa e një mekanizimi shtetëror që bën kontrollin e çmimeve në tregun e Kosovës ka ndikuar që tregtarët të bëjnë ngritje të pa kontrolluar të çmimeve dhe në favor të bizneseve që ata drejtojnë.
Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon tregun e çmimeve. Në mungesë të këtij mekanizimi, edhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit patën theksuar se tregtarëve po iu krijohet hapësira që të bëjnë ngritje të çmimeve pa u penguar nga askush.
Derisa, autoritetet e Kosovës, zakonisht janë arsyetuar me atë se në Kosovë ka ekonomi të lirë të tregut dhe se institucionet shtetërore nuk mund ta pengojnë një gjë të tillë.
Elhame Nimani, një qytetare tjetër, thotë se në tregun e Kosovës ka larami të çmimeve. Po ashtu, sipas saj, shumë herë ndodh që marketet në Kosovë bëjnë edhe marketing të rrejshëm.
“Po i vendosin produktet në aksion dhe po thonë se janë në zbritje, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ka rritje të çmimeve dhe kjo është një problem për neve. Standardi jetësor i familjes time mund të them që nuk është përmirësuar”, thekson ajo.
Për ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë, rritja e çmimeve të konsumit të përgjithshëm ka ndodhur nga muaji në muaj dhe nga viti në viti. Në Kosovë, thonë ata, ka pasur vazhdimisht inflacion, gjë e cila ka ndikuar edhe në rënien e fuqisë blerëse.
Duke marrë parasysh nivelin e pagave në Kosovë, si dhe nivelin e lartë të papunësisë, profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se gjendja ekonomike e qytetarëve të Kosovës është e vështirë.
“Duke njohur gjendjen faktike në Kosovë mund të them që standardi jetësor i qytetarëve të Kosovës është duke shënuar rënie dhe jo rritje, për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik. Pagat në Kosovë janë të ulëta, inflacioni në mënyrë të qetë shënon ngritje dhe unë thjesht edhe nga vet shembulli personal i imi mund të them që shporta e konsumatorit po varfërohet çdo ditë e më shumë”, thotë profesor Limani për Radion Evropa e Lirë.
Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare, sipas të dhënave të ASK-së, del të jenë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat.
Qytetarët e Kosovës, për vite me radhë, ballafaqohen me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Të ardhurat e tyre janë të ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.
Paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 32 për qind.
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës